Qëndrimin e tij kundër marrëveshjes për emrin e Maqedonisë dhe Greqisë, Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, e përsëriti sërish, duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë masivisht kundër në referendumin për emrin e ri.
“Qytetarët e Maqedonisë janë të bashkuar rreth idesë për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Por, atje duam të shkojmë me emrin tonë, identitetin, dinjitetin dhe nderin tonë. Prandaj asnjë politikan nuk ka mandat të bëjë tregti me identitetin e popullit maqedonas. Çështja e emrit dhe identitetit është më e vjetër se secila kushtetutë, qeveri, e secili President, madje është më e vjetër se vetë shteti.”
Ivanov, që ka refuzuar të dekretojë marrëveshjen e votuar në parlament, e cilësoi atë të dëmshme, për shkak se sipas tij ajo fshin identitetin e popullit maqedonas. “Shumë herë janë munduar të na imponojnë identitet të huaj, por nuk patën sukses,”, u shpreh ai.
Shkupi dhe Athina arritën në muajin marrëveshjen për ndryshimin e emrit, në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Zaev ka thirrur një referendum në Shtator, i cili nuk do të jetë vendimmarrës, por vetëm këshillues.
Tv Klan