Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov refuzoi dekretimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë që u ratifikua javën e kaluar në parlament. Përmes një deklarate për shtyp, Ivanov e konsideron atë anti-kushtetuese, pasi sipas tij, e vendos vendin në gjendje nënshtrimi ndaj Greqisë.
“Unë nuk pranoj ide apo propozime që mund të rrezikojnë identitetin kombëtar të maqedonasve dhe gjuhën maqedonase”,
thuhet në deklaratën e presidentit maqedonas.
Ivanon i referohet edhe nenit 308 të Kodit Penal, sipas të cilit çdo qytetar që e çon vendin në një pozitë të nënshtrimi apo varësie ndaj një shteti tjetër, dënohet me pesë vjet burgim.
Nga ana tjetër, Kryeministri Zaev është i bindur se marrëveshja do të kalojë me sukses edhe provën e referendumit, në të kundërt ai thotë se do të japë dorëheqjen.
“Po, do të largohem nga pozita e Kryeministrit nëse referendumi nuk ka sukses. Por jam i sigurt që do të ketë. Pres mbështetje të madhe pasi mbi 70% e popullit janë pro anëtarësimit në BE e NATO”.
Marrëveshja do të rikthehet sërish në parlament dhe sipas Kushtetutës, ratifikimi i saj për herë të dytë e detyron presidentin ta dekretojë, ashtu siç ndodhi edhe me Ligjin për Gjuhën Shqipe.
Tv Klan