Izraeli ka gati planin e marrjes hak ndaj Iranit, për sulmin me breshëri raketash të 1 Tetorit ku u goditën disa baza ushtarake brenda territorit izraelit.
Sipas CNN që citon burime pranë qeverisë izraelite, sulmi do të jetë i kufizuar vetëm në objektiva ushtarake dhe nuk do të preket infrastruktura e prodhimit dhe përpunimit të naftës apo centralet bërthamore.
Për këtë, kryeministri Benjamin Netanjahu ka garantuar edhe presidentin amerikan Xho Bajden. Vetë Netanjahu pohoi se sulmi do të ndërmerret në koordinim të ngushtë me Uashingtonin. Lajmi bëhet i ditur një ditë pasi Uashingtoni i vuri afat 30 ditor, qeverisë izraelite për të hapur korridoret e ndihmës në Rripin e Gazës, një prej konflikteve që ka shkaktuar armiqësitë më të fundit me Iranin.
Ndërkaq, ushtria izraelite riktheu bombardimet në kryeqytetin e Libanit, të cilat mungonin prej 5 ditësh. Në shenjestër ishte sërish lagjja Dahieh e konsideruar si bastion, ku fshihen krerët dhe armët e Hezbollahut.
Ndërsa nga bombardimet izraelite në jug të Libanit humbi jetën kryebashkiaku i qytetit Nabatieh dhe 4 zyrtarë të tjerë që zhvillonin një mbledhje urgjente për situatën e krijuar nga konflikti Izrael-Hezbollah.
Tv Klan