Ashtu sikurse pritej ushtria izraelite nisi një operacion tokësor kundër objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor.
Në Bejrut, u dëgjuan shpërthime të forta ndërsa sulmet izraelite synonin bastionin e Hezbollahut në periferitë jugore. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit paralajmëruan më herët banorët që të evakuohen në tre zona në Bejrutin jugor. Banorët vendas në qytetin kufitar libanez Aita al-Shaab raportuan për bombardime të rënda dhe zhurmë helikopterësh dhe dronësh në qiell.
Sipas ushtrisë izraelite objektivat paraqesin një kërcënim për komunitetet izraelite dhe se bastisjet ishin “të kufizuara si dhe të lokalizuara” kundër Hezbollahut. Inkursioni erdhi menjëherë pasi u miratua nga udhëheqësit politikë izraelitë dhe shënoi një fazë të re në luftën e Izraelit kundër Hezbollahut. Netanyahu paralajmëroi Iranin se nuk ka një vend në Lindjen e Mesme që Izraeli nuk mund të arrijë.
Mes të tjerash ushtria izraelite konfirmoi se gjatë natës ka kryer sulme të sakta në disa vende të prodhimit të armëve dhe infrastrukturën e Hezbollahut në Dahieh, një periferi jugore e Bejrutit që konsiderohet si një bastion i Hezbollahut.Gjithashtu sulmet kishin në shënjestër Mounir Maqdah, një komandant i degës libaneze të krahut ushtarak të lëvizjes palestineze Fatah. Nga ana tjetër Hezbollahu shënjestroi mëngjesin e së martës trupat izraelite në qytetin kufitar izraelit të Metula.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin në një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit Yoav Gallant ranë dakord mbi domosdoshmërinë e çmontimit të infrastrukturës përgjatë kufirit” në mënyrë që të mbrohen komunitetet veriore të Izraelit nga Hezbollahu, sipas një deklarate të lëshuar nga Departamenti i Mbrojtjes.
Megjithatë, deklarata përmendi gjithashtu rëndësinë e “kalimit përfundimisht nga operacionet ushtarake në një rrugë diplomatike për të siguruar që civilët të mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit. Të dyja palët paralajmëruan gjithashtu për “pasoja serioze” për Iranin nëse ai përpiqet të nisë një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Izraelit.
Aktualisht më shumë se 1 milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa kriza humanitare ka përfshirë vendin. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka dërguar avion komercial për të ndihmuar britanikët të largohen nga Libani. Nuk është e qartë sesa do të zgjasë operacioni, por ushtria tha se ushtarët ishin trajnuar dhe përgatitur për misionin muajt e fundit.
Klan News