Armëpushimi midis Izraelit dhe grupit të mbështetur nga Irani Hezbollah ka hyrë në fuqi, pasi presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se të dyja palët pranuan marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.
Disa civilë libanezë kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre në jug, por Izraeli i paralajmëroi se kthimi në disa zona të caktuara nuk është ende i sigurt. Një grup libanezësh qëndruan pranë një rruge në qytetin jugor të Libanit, Tire, duke brohoritur dhe duke hedhur oriz mbi makinat që kalonin përpara për të festuar kështu arritjen e marrëveshjes.
Festime gjithashtu pati edhe në Bejrut ku njerëzit mbanin flamuj dhe u binin borive të makinave.
Shpërthimet u dëgjuan në të gjithë Bejrutin pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, por nuk dihej nëse të shtënat ishin festive, apo për të alarmuar banorët që mund të kishin injoruar paralajmërimet e evakuimit të lëshuara nga ushtria izraelite.
Presidenti i SHBA Joe Biden ka bërë të ditur se armëpushimi është projektuar të jetë i përhershëm, por Izraeli thotë se rezervon të drejtën të godasë Hezbollahun nëse shkel marrëveshjen.
“Lufta përtej kufirit libanezo-izraelit do të përfundojë. Ky është projektuar për të qenë një ndërprerje e përhershme e luftimeve. Civilët nga të dyja palët së shpejti do të jenë në gjendje të kthehen të sigurt në komunitetet e tyre dhe të fillojnë të rindërtojnë shtëpitë e tyre, shkollat e tyre, fermat e tyre, bizneset e tyre dhe vetë jetën e tyre. Nëse Hezbollahu ose dikush tjetër thyen marrëveshjen dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Izraelin, atëherë Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes.”
Presidenti francez Emmanuel Macron tha në platformën e mediave sociale X se marrëveshja shënon pikën kulmore të përpjekjeve të ndërmarra për shumë muaj me autoritetet izraelite dhe libaneze, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Irani, mbështetësi i Hezbollahut, ka mirëpritur atë që e quan fundin e “agresionit” të Izraelit në Liban.
Të dyja palët shkëmbyen sulme deri në momentin e miratimit të marrëveshjes. Hezbollahu lëshoi drone drejt Izraelit të martën mbrëma, ndërsa Izraeli nisi sulmet ajrore në Bejrut pasi ushtria e tij lëshoi urdhra evakuimi në zonë.
Ushtria libaneze ka bërë të ditur se po përgatitet të vendoset në Libanin jugor, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit. Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib tha se ushtria libaneze do të ketë të paktën 5,000 trupa të dislokuara në Libanin jugor pasi trupat izraelite të tërhiqen.
Sipas kushteve të armëpushimit, forcat izraelite do të tërhiqen nga Libani brenda 60 ditëve, ndërsa forcat e Hezbollahut do të zëvendësohen nga forcat e ushtrisë libaneze në jug të vendit gjatë të njëjtës periudhë.
Klan News