Izraeli goditi Iranin me një sërë sulmesh ajrore, ku pati në shënjestër objektivat ushtarakë në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit me raketa balistike që Republika Islamike kreu ndaj Izraelit në 1 Tetor. Në Teheran u dëgjuan shpërthime, edhe pse autoritetet atje deklaruan se u shënuan vetëm dëme të kufizuara.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë ndoqën nga afër operacionin në qendrën e komandës dhe kontrollit të ushtrisë në Tel Aviv. Sulmi rrezikon përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme, ku grupet militante të mbështetura nga Irani, përfshirë Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Liban, janë tashmë në luftë me Izraelin.
Kjo ishte hera e parë që ushtria izraelite sulmoi hapur Iranin, i cili nuk ishte përballur me një sërë sulmesh nga një vend tjetër që prej luftës së 1980 me Irakun. Fillimisht, objektet bërthamore dhe rezervat e naftës ishin parë si objektiva të mundshme për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, por në mes të Tetorit, administrata e Presidentit Biden njoftoi se kishte marrë garanci nga Izraeli se nuk do të godiste objektiva të tilla.
Presidenti Joe Biden dhe Zv/Presidentja Kamala Harris u informuan mbi operacionin e Izraelit dhe po ndjekin nga afër zhvillimet. E gjithë vëmendja është aktualisht te Irani pasi mbetet për t’u parë se si do t’i përgjigjet sulmeve të së shtunës.
Klan News