Muaji Janar ishte më i ngrohti në histori duke ngritur pikëpyetje të mëtejshme në lidhje me ritmin e ndryshimeve klimatike.

Janari 2025 pritej të ishte pak më i freskët se Janari 2024 për shkak të një zhvendosjeje nga modeli i njohur si El Niño. Por në vend të kësaj, muaji i kaluar theu rekordin e Janarit 2024 me gati 0.1C, sipas shërbimit evropian të klimës Copernicus.

Ngrohja është për shkak të emetimeve të gazeve që ngrohin planetin nga aktivitetet njerëzore, kryesisht djegia e lëndëve djegëse fosile, por shkencëtarët thonë se nuk mund të shpjegojnë plotësisht pse muaji i kaluar ishte veçanërisht i nxehtë.

“Për Janarin 2025, ne zbuluam se ishte më i ngrohtë globalisht, me një temperaturë prej 1.75 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale. Dhe ky nuk është vetëm Janari më i ngrohtë i regjistruar, por është edhe muaji i 18-të ku temperaturat e sipërfaqes së ajrit global kanë qenë më shumë se 1.5 gradë Celcius mbi mesataren para-industriale.”, tha Samantha Burgess.

Në fillim të vitit të kaluar, temperaturat globale u rritën nga modeli natyror i motit El Niño, ku ujërat sipërfaqësore jashtëzakonisht u bënë edhe më të ngrohta në të gjithë Paqësorin tropikal lindor.

Këtë vit, kushtet e La Niña-s sipas grupit shkencor amerikan Noaa duhet të ketë efektin e kundërt. Ndërsa La Niña është aktualisht e dobët, dhe ndonjëherë duhen disa muaj për të pasur efektin e saj të plotë në temperatura, pritej të kishte një Janar më të freskët, por kjo nuk ndodhi.

Sipas ekspertëve, edhe nëse fenomeni La Nina shfaqet plotësisht, efekti i saj ftohës mund të mos jetë i mjaftueshëm për të ulur temperaturat globale, të cilat ndikohen gjithashtu nga faktorë si temperaturat jashtëzakonisht të larta që shihen në oqeane, dhe emetimet e gazeve serrë.

Shkencëtarët në Berkley Earth dhe Zyrën e Metologjisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se presin që viti 2025 të jetë viti i tretë më i ngrohtë në rekord.

Klan News