Kryedemokrati Sali Berisha foli për gazetarët edhe jashtë sallës së parlamentit. Akuza hodhi ndaj mazhorancës se janë verbuar nga luksi. Duke folur për eksperiencën e tij, ish-kryeministri u shpreh se personalisht mezi qëndron në foltore për shkak të aromave të parfumeve nga më të kushtueshmet dhe parlamenti duket si paradë luksesh e jo përfaqësues i qytetarëve.

“Këta janë njerëz që nuk dëgjojnë as zërin e Zotit, as të xhamisë, as të kishës, as të teqesë, të njeriut. Janë verbuar nga luksi. Këta janë një grup bixhozxhinjsh që lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan t’ia dinë për pensionet. Unë shkoj aty në platformë, mezi qëndroj nga aromat, nga gërshetimi i aromave të parfumeve më të kushtueshme. Aty bëhet një paradë luksi, bizhush, parfumesh sikur je në një sallon mode dhe jo në një parlament përfaqësues të qytetarëve. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur blen stolinë e oborrit 4 milionë euro. Nuk mund t’ia dijë Edi Rama kur shpenzon 21 milionë euro udhëtime me “Ismailin” e famshëm. Nuk mund t’ia dinë ministret që ulen në tavolinë me biftekun 1 mijë euro. Nuk mund t’ia dinë qeveritarët që shpenzojnë për qerpikë artificialë 150 mijë euro në javë. Luksi i tepruar është haram në të gjitha besimet”, tha Berisha.

Duke folur për gazetarët Berisha u shpreh se PD është “kategorik kundër dorëzimit të bazave të ushtrisë”.

Ai theksoi se demokratët betejën e kanë me Edi Ramën, të cilin e konsiderojnë kokën e krimit.

“PD betejën e bën me Edi Ramën. Koka e krimit për PD është Edi Rama. Kreu i bandave të Shqipërisë është Edi Rama, pas tij Taulant Balla e të tjerë me radhë. Janë shefa policie, prokurorë që flenë mbi dosjet e krimit. Do paraqes fakte si Dumani fle mbi dosje krimi, mbron kriminelët. Ne këto mund të bëjmë”, tha Berisha./tvklan.al