Lajme Arkiva – TV Klan 2001
U zhvilluan takimet e javës së 23-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ku me rezultatet pozitive të arritura sot, të tre skuadrat kryesuese vazhduan seritë e fitoreve. Vllaznia kryesuese fitoi 2-1 në Durrës ndaj Teutës. Gjithsesi këto dy skuadra do të ndeshen edhe të mërkurën e ardhshme në stadiumin “Niko Dovana”, për të mësuar se cila prej tyre do të kualifikohet për në finalen e Kupës së Republikës.
Tirana fiton 1-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit, falë një goli të realizuar në portën e tij nga vlonjati Lala në minutën e 85 të pjesës së dytë, ndërsa Dinamo në kryeqytet fiton 1-0 me Lushnjen, me një gol të shënuar nga Qorri në minutën e 11. Në takimet e tjera, Skënderbeu-Shkumbini 2-2, Beslidhja fiton thellë 3-0 në Lezhë ndaj Bylisit, Besa mund 2-1 Luftëtarin në Kavajë dhe Tomorri 1-0 Apoloninë në Berat.
Kur duhen edhe tre javë që të përfundojë Kampionati Kombëtar i Futbollit, kryeson Vllaznia e Shkodrës me 49 pikë, e ndjekur nga Tirana dhe Dinamo me nga 47 pikë./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Grillo