“Të ndalojmë së shikuari kundërshtarët si armiq”
Në fjalimin e tij të parë si President i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se është koha për të shëruar Amerikën duke premtuar se do të përpiqet të mos e përçajë vendin, por ta bashkojë atë.
“Le t’i japim njëri-tjetrit një mundësi”, tha ai gjatë një fjalimi nga Delaware, duke iu drejtuar atyre që nuk e kanë votuar.
Biden mundi Presidentin aktual, Donald Trump, pas një procesi të gjatë zgjedhor. Trump nuk ka pranuar ende humbjen dhe nuk ka dalë në një deklaratë publike që prej momentit që mediat nxorrën fitues Joe Biden.
Ky rezultat e bën Donald Trump presidentin e parë me vetëm një mandat në krye të punëve të SHBA-së që prej vitit 1990. Ekipi i tij elektoral ka ngritur disa padi në shtete të ndryshme, por zyrtarë të zgjedhjeve kanë deklaruar se nuk ka prova për paligjshmëri në numërimin e votave.
Pas shpalljes së fitores, turma të mëdha njerëzish në mbështetje të Biden dolën në sheshet e mëdha të qyteteve kryesoore. Mbështetësit e Trump protestuan të zhgënjyer nga rezultati, por nuk pati raportime për incidente.
“Betohem se do të jem presidenti i cili nuk kërkon të përçajë, por të bashkojë vendin, ai që nuk sheh shtete të kuqe apo blu, por sheh Shtetet e Bashkuara”, tha Biden gjatë fjalimit.
“Të gjithë atyre që na mbështetën: Jam krenar për fushatën që zhvilluam. Jam krenar për koalicionin më të gjerë dhe më të larmishëm në histori. Demokratë, republikanë dhe të pavarur. Progresistë, të moderuar dhe konservatorë. Të rinj dhe të vjetër. Banorë të qendrave urbane, periferive dhe fshatrave. Gay dhe transgjinorë. Të bardhë. Latinë. Aziatikë. Amerikanë vendas. Dhe veçanërisht kur fushata ishte në nivelin më të ulët, komuniteti afro-amerikan u ngrit për mua. Do të kenë gjithmonë mbështetjen time dhe unë do të kem tuajën”, tha Biden.
Biden ka fituar mbi 74 milionë vota, shifra më e lartë e arritur ndonjëherë për një kandidat. Ai falënderoi të gjithë votuesit e tij, por u dha një mesazh edhe mbështetësve të Trump.
“Është koha për të lënë retorikën e fortë, të ulim tonet, të shohim njëri-tjetrin sërish, të dëgjojmë njëri-tjetrin sërish dhe të bëjmë progres. Duhet të ndalojmë së shikuari kundërshtarët si armiq. Ne nuk jemi armiq. Ne jemi amerikanë. Bibla na tregon se çdo gjë ka kohën e vet për t’u ndërtuar, për të mbjellur, për të korrur. Ka edhe një kohë për t’u ngjallur. Kjo është koha për të ngjallur Amerikën”, tha ai.
Vendimi i parë i Biden do të ketë lidhje me koronavirusin. Ai u shpreh se do të formojë një komitet dhe do të jetë gati në ditën e inaugurimit të Biden si President. Por me zgjedhjen e Biden, Amerika ka hyrë në histori edhe prej zv/Presidentes. Amerikanët kanë zgjedhur Kamala Harris e cila do të jetë e para femër në historinë e SHBA-së në këtë post.
Ajo është e para femër me ngjyrë dhe që i përket komunitetit aziatik që pritet të marrë rolin e rëndësishëm. “Mund të jem femra e parë në këtë zyrë, por nuk do të jem e fundit”, tha ajo.
“Ju zgjodhët shpresën dhe bashkimin, shkencën dhe të vërtetën. Zgjodhët Joe Biden si Presidentin e ardhshëm të SHBA-së. Rruga përpara nuk do të jetë e lehtë, por Amerika është gati. Unë dhe Joe jemi gati”, tha ajo./tvklan.al