Disa javë pasi u deportua nga Dubai, Julian Meçe, doli përballë Gjykatës së Posaçme këtë të hënë, jo si i pandehur, por si dëshmitar. Ai u thirr nga të akuzuarit në procesin ku po gjykohet Emiliano Shullazi, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe disa të tjerë për vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, të ndodhura në 2005.
Arsyeja pse Meçe ishte thirrur në këtë proces ishte ballafaqimi me një dëshmi të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili pretendon se ai e ka njohur Julianin pasi e ka parë në Durrës në një darkë në 2004, ku ka mbetur më pas i plagosur Lulzim Berisha. Ai mohoi ta njihte Reçin.
Julian Meçe: Unë Luftar Reçin as nuk e njoh dhe as nuk kam patur lidhje ndonjëherë. Nga viti 2004 deri në 2011 kam qenë duke vuajtur një dënim për trafikim narkotikësh në Itali. Lul Berishën e njoh, kemi pasur miqësi, po ashtu dhe me Plaurent Dervishajn, njihem, kam miqësi, kemi qenë komshinj në Durrës. Kur ne kemi qenë në Dubai bashkë me Lentin, dhe u lëshuan masat e sigurimit, Plaurenti shprehu habi dhe u indinjua duke thënë se nuk kishte lidhje. Ai më tha se asgjë nuk e ka lidhur me Viktor Imerin e Emiljano Shullazin.
Julian Meçe ndodhet në qeli i akuzuar se ka bashkëpunuar me Plaurent Dervishajn për atentatin ndaj Arjan Ndojës e Pëllumb Muharremit.
Tv Klan