Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për Plarent Dervishaj, nën akuzë për vrasjen e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodjan Saliut në vitin 2005.

Ndërkohë, kujtojmë që para disa javëve Dervishaj dhe Julian Meçe u ekstraduan nga Dubai. Ata ishin arrestuar më parë nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara, aty ku u lokalizuan falë Interpol Tirana. Ishin pikërisht këta të fundit që bindën autoritetet atje për të marrë dritën jeshile për ekstradimin e dy eksponentëve të rrezikshëm të botës së krimit.

Ndaj Plarent Dervishajt janë ngritur disa akuza nga Prokuroria e Posaçme. Mes ngjarjeve për të cilat ai akuzohet është vrasja e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe Artan Arsit në vitin 2005. Në këto ngjarje, Dervishaj ishte pjesmarrës thotë SPAK, ndërsa në atentatin ndaj ish-prokurorit, Arjan Ndoja në 2019, ai ishte në rolin e porositësit.

Mes personave të kontraktuar ishte Julian Meçe. Ky i fundit dyshohet si një nga autorët e ngjarjes së rëndë ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku dhe u plagos vetë Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.


Njoftimi i plotë i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Iliriana Olldashi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më 17.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 11.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e të pandehurit/ankues P.D., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 103, datë 16.08.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (disponuar mbi kërkesën për ndryshim mase sigurimi)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 103, datë 16.08.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar


/tvklan.al