Me shumë dëmtime në grup, te Juventusi synimet në merkaton e janarit janë për të forcuar skuadrën.

Por drejtori sportiv Giuntoli po punon tashmë për të blerë kartonin e Francisco Conceicao-s.

Lojtari ka ardhur si i huazuar këtë verë për shtatë milionë Euro, me “Zonjën e Vjetër” që ka të drejtën e blerjes në fund të sezonit me shifrën e përcaktuar të 30 milionë Eurove.

“Chico” i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij dhe bardhezinjtë tani duan që të përpshpejtojnë negociatat me Porton, për të siguruar futbollistin dhe për të shmangur surpriza të mundshme si edhe tentativat nga skuadrat e tjera në verë.

Sipas Sportmediaset, Giuntoli ka intensifikuar kontaktet e tij si me menaxherin e futbollistit Mendes, ashtu edhe me klubin portugez për ta mbajtur sulmuesin e krahut në Torino.

Synimi i drejtorit sportiv të bardhezinjve është që të arrijë një akord me klubin portugez për të ulur shumën finale që do të paguhet për kartonin e futbollistit. Por parësor është akordi final për transferimin definitiv të futbollistit.

Ndërkohë që bardhezinjtë po shikojnë në Portugali për të arritur një tjetër përforcim. Ai është qendërmbrojtësi i Benfikës, Antonio Silva.

Avantazhi i vetëm është fakti që Mendes është menaxheri i 21-vjeçarit, por nga  drejtuesit italianë do të duhet të bëhet një punë e madhe për të bindur ‘shqiponjat’ ta lënë të lirë, pasi e shikojnë si pasardhësin perfekt të Otamendit në prapavijë.

Klan News