Tashmë që fitorja e Trump është mëse e sigurt në qarqet e lëvizjes së tij MAGA (Make America Great Again) po përfliten emrat se kush mund të jetë pjesë e administratës së tij të re. Presidenti e ka konsideruar kabinetin e tij të fundit në 2017 si gabimin më të madh të qeverisjes së tij. Shumë prej ish-bashkëpunëtorëve të Trump u grindën me Presidentin madje e kritikuan më pas atë publikisht.
Ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, e quajti atë fashist. Ish-zëvendëspresidenti i tij, Mike Pence nuk pranoi ta mbështeste. Po ashtu edhe ish-Sekretari për Sigurinë Kombëtare John Bolton.
“Gabimi më i madh që bëra ishte zgjedhja e disa njerëzve që nuk duhej t’i kisha zgjedhur kurrë”, ka deklaruar Trump kohët e fundit.
Tashmë Trump ka vendosur që të emërojë vetëm njerëz besnikë në poste të larta. Ndërkohë që ai nuk ka konfirmuar askënd në kabinetin e ri, disa emra janë publikuar në mediat amerikane dhe ato botërore si pretendentë të mundshëm.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është në mes emrave të përfolur për t’u rikthyer këtë radhë si Sekretari i ri Mbrojtjes. Në qeverinë e mëparshme të Trump, Pompeo bëri presion për mbështetje të fortë për Izraelin. Ai është gjithashtu një avokat për ‘çlirimin’ e Ukrainës kur propozoi sanksione reale ndaj Rusisë dhe dërgimin e armëve për Kievin.
Richard Grenell, ish-ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe ish-ambasadori i SHBA në Gjermani, synon të jetë Sekretari i ri i Shtetit. Gjatë kësaj periudhe Grenell ka shërbyer si një këshilltar me ndikim për politikën e jashtme në rrethinat e Trump.
Ai ka vijuar që të takohet me liderë të huaj në mbështetje të ish-presidentit, ndër ta edhe me kryeministrin shqiptar Rama. Më e rëndësishmja, ai thuhet se ka mbështetjen e Melania Trump. Ndër rivalët e Grenell për postin e Sekretarit të ri të Shtetit përmenden Marco Rubio dhe Robert O’Brien.
Koloneli i Forcave Speciale të Gardës Kombëtare në pension, Mike Waltz, është një emër tjetër që Trump thotë se po mendon për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, edhe pse raportet e mediave amerikane gjithashtu e konsiderojnë atë si një pretendent për Sekretarin e Shtetit.
Robert F. Kennedy Jr pritet që të drejtojë Departamentin e Shëndetësisë në administratën e re të Trump. Mediat amerikane kanë përmendur Howard Lutnick si një kandidat të mundshëm, për postin si Sekretar i Thesarit. Ai ka ndihmuar në promovimin e mbështetjes për Trump në Wall Street duke mbledhur më shumë se 75 milionë dollarë për fushatën e tij. Aktualisht Lutnick po luan një rol udhëheqës në ekipin e tranzicionit të Trump drejt Shtëpisë se Bardhë. Po ashtu edhe Scott Bessent, një këshilltar kryesor ekonomik i Trump shihet si Sekretar i ri i Thesarit
Ish-përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA, Robert Lighthizer, i cili ishte një figurë kyçe në mandatin e parë presidencial gjithashtu është përfolur për Sekretar i ri i Thesarit, tani që Trump fitoi çelësat e Shtëpisë së Bardhë.
Mark Green mendohet se do të jetë Sekretar për Sigurinë Kombëtare. Mbështetësit e tij e përshkruajnë atë një besnik të Trump-it dhe një njeri i vijës së ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm.
John Ratcliffe shihet si kandidat për Prokuror të Përgjithshëm, megjithëse ai mund të marrë gjithashtu një pozicion të veçantë të Sigurisë Kombëtare ose Inteligjencës. Post për të cilin është në diskutim edhe senatori Mike Lee.
Një nga menaxheret e fushatës së Trump, Susie Wiles, shihet si favoritja kryesore për të qenë Shefe e re e Stafit të Shtëpisë së Bardhë. Ish-drejtorja e Këshillit të Politikave të Brendshme të Trump, Brooke Rollins, është gjithashtu një pretendente për këtë post.
Kash Patel shihet si kandidat potencial për t’u emëruar drejtor i CIA-s.
Shefi i Tesla-s Elon Musk mendohej se do të ishte në krye të një departamenti të ri për efikasitetin e qeverisë, me detyrë auditimin e qeverisë federale dhe planifikimin e reformave, por ende nuk është e sigurtë nëse ai do ta pranonte një detyrë të tillë.
Klan News