Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë, Ministri shqiptar për Diasporën, Pandeli Majko thotë se janë përtej çdo gatishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës siç janë shqiptarët.

Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se “mediat mund të japin lajme, por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë çfarë ofron për të huajt.”

Ndërsa Europianëve u kujton se Shqipëria ka gatishmëri për të huajt, por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj.

Në se ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane.

Por Majko shprehet i bindur se Brukseli nuk mund t’i kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë.

Të huajt që të vinë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që t’i sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do t’i bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri. Shqipëria do të ishte e gatshme të ndajë peshën e çdo krize me familjen e vet evropiane, por shqiptarët nuk janë njerëz naivë. Ata dyshimin e tyre do ta fillonin me pyetje të thjeshta… “Pse diçka që nuk është e mirë për Europën është e mirë për Shqipërinë?” Dhe më ironikja vjen më pas “Në se na kërkoni diçka që nuk e bëni vet, a na bën kjo më europianë apo e kundërta?”

… Janë 600 mijë pyetje për një të vërtetë. Natyrisht!”, shkruan Majko.

/tvklan.al