Duhet qe te shpjegonte objektivat e presidencës hungareze por kryeministri Viktor Orbán u përball me akuza në Parlamentin Evropian në Strasburg nga Ursula Von Der Leyen dhe shumica e eurodeputetëve. Ai u cilësua si kreu i qeverise me te korruptuar te Evropës, si dhunues i medias dhe kundërshtarëve politike. Vete Orban theksoi se kriza e migracionit paligjshëm ka arritur dimensione të papara që nga viti 2015, duke kërcënuar që të shpërbëjë zonën Shengen.
Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë: Evropa ka vite që vuan nga presioni i migracionit. Sistemi aktual i azilit ne BE nuk funksionon. Ai imponon një barrë të madhe veçanërisht për shtetet anëtare të vendosura në kufijtë e jashtëm të Bashkimit. Kufijtë e jashtëm të Bashkimit duhet të mbrohen. Mbrojtja e kufijve të jashtëm i shërben interesave të Bashkimit në tërësi. Pa ngritjen e kampeve te menaxhimit te kërkesave për azil nuk mund t’i mbrojmë evropianët nga migrimi i paligjshëm. Të gjitha zgjidhjet e tjera janë, për mendimin tim, një iluzion.
Orban propozoi qe te mbahen samite te posaçme me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të zonës Shengen. Sipas tij zgjerimi është po ashtu një temë prioritare e presidencës hungareze.
Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë: Përshpejtimi i anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor është një çështje kyçe për sigurinë evropiane. Integrimi i rajonit është i dobishëm për BE-në nga pikëpamja ekonomike, e sigurisë dhe gjeopolitike. Duhet që Serbisë t’i kushtojmë vëmendje të veçantë. Ballkani nuk mund të stabilizohet pa përfshirjen e Serbisë. Për sa kohë Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, Ballkani do të mbetet një rajon i paqëndrueshëm. Disa shtete kandidate i plotësojnë kushtet teknike për të ecur përpara, por mungon konsensusi politik mes shteteve anëtare për ta mbajtur premtimin më shumë se njëzet vjet më parë.
Orban propozoi që te mblidhet një samit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ku duhet qe të bëhet përparim ne drejtim te zgjerimit.
Klan News