Si të mos mjaftonin problemet me dopingun, peshëngritja shqiptare do të jetë e cunguar në Europianin e Rumanisë. Përveç Evangjeli Velit dhe Romela Begajt që janë pezulluar për doping, në pedanë nuk do të ngjitet as Erkand Qerimaj.
Peshëngritësi është tërhequr për shkak të një problemi fizik. Një inflamacion në tendinën e gjurit nuk e lejon 29-vjeçarin të marrë pjesë në garën e peshës deri 77 kg ku do të rivalizonte me Daniel Godellin. Qerimaj, një nga pretendentët për medalje duhet të pushojë 2 javë.
Europiani për Shqipërinë nisi me Romario Avdiraj, i cili u rendit i teti në peshën deri 62 kg në garën e zhvilluar të martën. Ai kaloi me sukses vetëm provën e parë në stilin e shkëputjes, duke ngritur 110kg. Në atë të shtytjes nuk garoi për shkak të një lëndimi. Sot do të jetë radha e Briken Çaljes dhe Arbër Çerçzit në peshën deri 69 kg.
Tv Klan