140 femra në vendin tonë humbasin jetën çdo vit si pasojë e prekjes nga kanceri në qafën e mitrës.

Kjo shifër u bë publike nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë javës evropiane për parandalimin e këtij kanceri, i cili për nga prekshmëria e rendit vendit tonë ndër të parët në Evropë.

Petrit Vasili: “Çdo vit siç thonë statistikat evropiane rreth 60 mijë gra preken nga ky lloj kanceri dhe gjysma e tyre për fat të keq vdes. Në Shqipëri çdo vit ka 25 raste të reja për 100 mijë gra dhe rreth 140 prej tyre humbin jetën në vit. Megjithëse vdekshmëria tek ne në raport me disa vende të Evropës Lindore është më e ulët është një fakt që në raport me Evropën Perëndimore vdekshmëria jonë  është mjaft më e lartë”.

Sipas specialistëve një faktor kyç në rritjen e numrit të vdekshmërisë së femrave të prekura nga ky kancer në vendin tonë është moskapja në kohën e duhur.

Ndërkohë që për të parandaluar këtë lloj kanceri tek gratë ata rekomandojnë vaksinën, e cila në vendet evropiane bëhet mbi moshën 10 vjeç./tvklan.al