Gjiknuri vë në dyshim marrëveshjen politike para pandemisë
Me një letër publike të firmosur nga Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike dhe Petrit Vasili i LSI-së, opozita la mënjanë hezitimin për t’u ulur sërish me Damian Gjiknurin e Partisë Socialiste dhe i ofroi atij mundësinë të caktojë orën dhe datën për të folur për Rerfomën Zgjedhore.
Pak orë më pas, Gjiknuri i socialistëve u shpreh edhe ai i gatshëm që diskutimet të nisnin të hënën e javës së ardhshme, sërish përmes një letre publike.
Por ky komunikim i paqtë erdhi pasi socialistët vunë në dyshim marrëveshjen politike para pandemisë së Covid-19.
Gjiknuri foli sikur të mos kishte ekzistuar marrëveshja para Covid-19, atëherë kur dhanë fjalën se vendimet do t’i merrnin në Këshillin Politik bashkë me PD dhe LSI, dhe jo në Komisionin Parlamentar.
Deklaratat e Gjiknurit u bënë pas mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, ku ishin edhe përfaqësues të disa ambasadave, OSBE-ODIHR dhe delegacionit të BE.
Pasi dëgjoi Gjiknurin, Oerd Bylykbashi kujtoi pikërisht marrëveshjen para Covid-19 në një intervistë për Tv Klan.
Por socialistët kanë treguar se e kanë të lehtë t’i gjejnë votat në Kuvend për ndryshimin e kodeve. Deklaratat e Rudina Hajdarit ishin sinjal se për Reformën Zgjedhore, kjo është akoma më e lehtë.
Një prej çështjeve për të cilën nuk ka dakordësi është depolitizimi i administratës zgjedhore, gjithsesi opozita insiston në krijimin e një qeverie kujdestare para zgjedhjeve.
Tv Klan