Kryebashkiaku i Tiranës ka ndarë me opinionin publik 2 akuza të tjera ndaj tij, të cilat i cilëson “komike”. Përmes një postimi në Facebook, shkruan se prokurori Olsi Dado e akuzon se ka takuar 2 agjentë të huaj, ndërkohë që ata janë arkitektë me reputacion ndërkombëtar.
“Telefon pas telefoni dhe gjurmim pas gjurmimi, Ols Dado më akuzon se kam takuar dy agjentë të huaj, Jesus Hernandez dhe Marco Casamonti, në fakt dy arkitektë me reputacion ndërkombëtar, që Nesti Kafka duhet ta kishte për nder t’u jepte dorën. Dhe sipas Kafkës tim, i paskam takuar për “punë sponsorizimesh”, se taktika e tij është “kap thërrime dhe hiqu si dyqan buke”. Po more, i kam takuar të dy star-arkitektët, me kënaqësi të madhe madje – por, jo për t’ju dhënë ndonjë favor të pamerituar që t’ju marr ndonjë favor personal mbrapsht, po për t’ju dhënë respekt e për t’ju marrë kontribut FALAS për Tiranën”, shkruan Veliaj.
Më tej, thekson se “refuzon ta pranojë se në këtë vend e ha po punove shumë”, krahas disa fotove të tij nga puna si kryetar bashkie.
“Ja, shih Lulin”, tha dikush me cinizëm, “s’bëri asnjë punë e nuk e gjeti gjë”. Unë këtë e refuzoj! E refuzoj mentalitetin se po punove, do sulmohesh, ndaj mos puno. Unë besoj se Shqipërinë e çon përpara puna dhe njerëzit e punës, jo përtacët, qylaxhinjtë, frikacakët, xhelozët e llapaqenët. Këtë besoj unë dhe besoj se këtë e beson edhe shumica e mirë, idealiste, e ndershme e vendit. Për gjithë njerëzit e punës, kokën lart dhe përqafime me mall!”, përfundon ai.
Më herët, këtë të Shtunë, ai uroi të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit, duke shprehur keqardhje që s’do jetë i pranishëm në darkat e iftarit.
Veliaj u vu në pranga më 10 Shkurt, ndërsa 2 ditë më vonë në GJKKO u verifikua masa e sigurisë “arrest me burg”. Në qeli u la edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa për bashkëshorten e kryebashkiakut Ajola Xoxa u vendos masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Veliaj akuzohet për dy vepra penale, atë të “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 episode, si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Procesin gjyqësor ndaj tij, e ka cilësuar krejtësisht politik, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë dhe se ai është në qeli pa gjyq. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur kolegët e tij socialistë dhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama.
/tvklan.al