Rezultat surprizë nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Rumani, ku rritja jo e pritshme e mbështetjes për të djathtën radikale pro-ruse shihet me shqetësim për rolin që ka vendi në luftën në Ukrainë.
Kandidati i pavarur me bindje nacionaliste Kalin Xhorxhesku u rendit në krye dhe do të përballet më 8 Dhjetor në balotazh me Elena Laskonin, kandidate e partisë pro-europiane të qendrës së djathtë, Bashkimi për të Ruajtur Rumaninë.
Rezultati ishte surprizë pasi, siç theksojnë edhe mediat ndërkombëtare, sondazhet parashikonin që në krye të dilte Kryeministri aktual Marsel Çiolaku, ndërsa si rivalin më të mundshëm parashikonin radikalin tjetër të djathtë Xhorxh Simion i konsideruar si Donald Trumpi rumun.
Ishte vota e diasporës rumune që zhbëri çdo parashikim. Rumunët që jetojnë jashtë vendit votuan masivisht për Kalin Xhorxheskun, i cili ka premtuar se do të ushtrojë kompetencat ligjore si president për të ndalur ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Ai dyshohet për lidhje me Moskën, ndonëse Kremlini tha në një njoftim zyrtar se nuk ka asnjë informacion për të.
Radikali tjetër i djathtë, Xhorxh Simion që drejton aleancën për bashkimin e rumunëve, pjesë e të cilës ka qenë edhe vetë Xhorxhesku tha se do t’i jepte atij mbështetje të plotë.
Për të parën herë që pas rënies së komunizmit në Rumani, radikalët e djathtë kanë siguruar mbi 1/3 e votave në shkallë kombëtare.
Tv Klan