Nuk ka përfunduar ende numërimi i votave në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe nuk e dimë se kush do të shpallet fitues zyrtarisht, por dimë me siguri se kush nuk do të jetë.

Njëri prej tyre është reperi i njohur Kanye West, i cili kandidoi si i pavarur në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Reperi 43-vjeçar ka mundur të grumbullojë vetëm 60 mijë vota nga rreth 160 milionë. Një tjetër kandidat i pavarur, Libertarian Jo Jorgensen, mori më shumë se West, rreth 1.5 milionë.

Por duket se Kanye West nuk është dorëzuar në ambicien e tij për t’u përfshirë në politikë. Në një postim në Twitter, ai ka shkruar gjatë kësaj jave “Kanye 2024”, duke sinjalizuar se do të marrë pjesë sërish në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2024.

Në këto zgjedhje, Kanye West ishte kandidat vetëm në 12 shtete, pasi humbi afatin për t’u regjistruar në shumicën e shteteve të tjera. Ai mblodhi më shumë vota në Tennessee, rreth 10.800, një shtet që është kryesisht republikan.  /tvklan.al