Ambasada Britanike në Tiranë ka dënuar aktet e dhunshme në Parlamentin e Shqipërisë nga opozita pasditen e së hënës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada Britanike thekson se dhuna nuk ka vend në demokraci dhe iu ka kërkuar partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare.

“Dhuna nuk ka vend në demokraci. Ambasada Britanike u kërkon të gjitha partive politike shqiptare të angazhohen në dialog konstruktiv dhe procese paqësore parlamentare. Ambasada Britanike dënon aktivitetin që synon të minojë këto parime dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur popullin dhe demokracinë e Shqipërisë”, thuhet në postimin e Ambasadës Britanike.

Gjatë seancës së të hënës, opozita hodhi sende dhe bishta karrigesh në drejtim të kryetares së Kuvendit, pengoi deputetët e mazhorancës që të merrnin fjalën, pati përplasje fizike si dhe dogjën karriget e tyre në oborrin e Kuvendit.

Këto veprime të opozitës erdhën si pasojë e revoltës së tyre pas burgosjes së deputetit të PD Ervin Salianji, i cili u dënua nga Apeli me 1 vit burg për kallëzim të rremë për dosjen “Babale”. Procesin gjyqësor ndaj tij, opozita dhe vetë Salianji e kanë konsideruar burgosje politike.

Për aktet e dhunës nga opozita në Kuvend, policia procedoi penalisht 32 deputetë të PD dhe dosjen e referoi në SPAK./tvklan.al