Pak minuta përpara se në oborrin e Parlamentit të niste sërish kaosi dhe përplasjet, në një forum rajonal per mirëqeverisjen dhe antikorrupsionin kryeparlamentarja ka komentuar situatat e krijuara në seancën e të hënës.
“Dje vonë në mbrëmje një grup nga stafi mbështetës i Kuvendit më bëri dhuratën më interesante dhe më të pakëndshme që kam marrë ndonjëherë: Një copë druri brenda një kornize xhami. Copa e drurit, këmba e karrigës të cilën një eksponent i Opozitës e hodhi drejt meje për të më goditur. E di që më ruajti Fati dhe paaftësia e goditësit për të qëlluar në shenjë. Si njeri e kam falur. Si politikane nuk mund të mos them dy fjalë”.
Spiropali ngre pikëpyetjet përse në vendin ku duhet të mbizotërojë dialogu e arsyeja, thirret në ndihmë dhuna, dhe ndalet të kujtojë marrëdhënien që demokratët që akuzojnë sot socialistët për kapje te drejtësisë, kishin me institucionet e këtij sistemi.
“Ndodhte kjo kur njerëzit e gjyqësorit merrnin urdhra dhe silleshin si despotë të pavarur nga ligji, me përgjegjësi vetëm ndaj një grushti njerëzish të politikës, tek të cilët ata nuk kishin tagër as të shihnin, as të trokisnin, dhe, mos o zot, as të çonin ndër mend se mund t’i hetonin.
Pas shumë përpjekjesh, mes shumë dilemash e vështirësish, mes besimit dhe zhgënjimit, trazirave dhe shpresës, mund të themi se sot askush në sallonin e zhurmshëm të politikës nuk ka imunitet, nuk ka amnisti, nuk ka bunker ta shpëtojë nga shkuarja me hir e pahir në përballjen me drejtësinë sa herë që ajo e konsideron të nevojshme”.
Por për deklaratat e Spiropalit ka ardhur një reagim nga kreu i grupit kuvendor Gazment Bardhi. Ai i drejtohet me një pyetje ish-drejtuese politike të qarkut të Shkodrës.
“Pyetje publike për Kryetaren e Kuvendit: Përveç “dhuratës” së administratës a mund të informosh shqiptarët: Pëllumb Gjoka çfarë dhurate të ka bërë për detyrën e re”?
Jo pak herë demokratët e kanë akuzuar Spiropalin se ka bashkëpunuar me krerë të krimit të organizuar për të marrë fitoren e Bashkisë së Shkodrës.
Tv Klan