Ambasada e SHBA në Tiranë ka dënuar aktet e dhunshme në Parlamentin e Shqipërisë nga opozita pasditen e së hënës.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada amerikane shpreh shqetësimin për shkatërrimin dhe “forcën e ekspozuar në parlament”.

Sipas ambasadës amerikane, këto veprime nuk kanë vend në procesin demokratik dhe palët duhet të angazhohen në dialog konstruktiv.

“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar nga shkatërrimi dhe forca e ekspozuar në parlamentin e Shqipërisë të hënën. Veprime të tilla të dëmshme dhe potencialisht të dëmshme nuk kanë vend në procesin demokratik. Ne inkurajojmë të gjithë të përfshirët të ushtrojnë përmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të mbështesin vlerat e respektit dhe civilizimit. Ne mbështesim diskutimin paqësor dhe bashkëpunues mbi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë institucioneve të Shqipërisë ndërsa ato punojnë për ta afruar Shqipërinë me komunitetin euroatlantik”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Në seancën e të hënës, opozita hodhi sende dhe bishta karrigesh në drejtim të kryetares së Kuvendit, pengoi deputetët e mazhorancës që të merrnin fjalën, pati përplasje fizike si dhe dogjën karriget e tyre në oborrin e Kuvendit.

Këto veprime të opozitës erdhën si pasojë e revoltës së tyre pas burgosjes së deputetit të PD Ervin Salianji, i cili u dënua nga Apeli me 1 vit burg për kallëzim të rremë për dosjen “Babale”. Procesin gjyqësor ndaj tij, opozita dhe vetë Salianji e kanë konsideruar burgosje politike.

Për aktet e dhunës nga opozita në Kuvend, policia procedoi penalisht 32 deputetë të PD dhe dosjen e referoi në SPAK.

/tvklan.al