Kuvendi i Shqipërisë ka përllogaritur dëmet e shkaktuara nga kaosi në Parlament në seancën e 30 Shtatorit, ku opozita dogji karriget dhe dëmtoi sende të tjera.

Përmes një dokumenti zyrtar, dëmet e shkaktuara janë përllogaritur në vlerën e 7.6 milionë Lekë të vjetra, një shifër kjo e zbritur nga totali më i lartë se kaq për shkak të amortizimit të orendive ndër vite.

Dëmet e shkaktuara, sipas Kuvendit, do të paguhen nga 4 deputetë të Partisë Demokratike; Gazment Bardhi, Flamur Noka, Elda Hoti dhe Bledion Nallbati.

Barra më e madhe i bie Gazment Bardhit, në vlerën 2 milionë Lekë të vjetra. Flamur Noka dhe Bledion Nallbati do të duhet të paguajnë rreth 1.9 milionë Lekë të vjetra dhe Elda Hoti 1.8 milionë Lekë të vjetra.

Sipas dokumentit të Kuvendit që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, pagesa nga të gjithë deputetët do të duhet të bëhet deri më 20 Nëntor. Në të kundërt, 4 deputetëve do t’u mbahet nga rroga përmes dy kësteve.

Seanca plenare e 30 Shtatorit u karakterizua nga kaosi dhe tensionet fizike. Sende të ndryshme e këmbë karrigeje u hodhën drejt kryeparlamentares Elisa Spiropali. Akti më ekstrem erdhi kur opozita nxorri jashtë Kuvendit karriget e tyre dhe i vendosi zjarrin.

Veprimi i opozitës erdhi pas burgosjes së deputetit demokrat Ervin Salianji për çështjen “Babalja”, të cilën e konsideruan si burgosje politike.

/tvklan.al