Për t’i treguar kundërshtarit të tij dhe mbarë opinionit publik se zotëron ende pushtetin dhe mbështetjen e Ushtrisë, presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro u shfaq në një marshim përkrah Forcave të Armatosura, duke i lavdëruar për besnikërinë.
“Besnikëria është një vlerë që ose e ke ose nuk e ke. Unë e di që ju nuk do e tradhtoni kurrë atdheun”.
Sakaq, dhuna në rrugët e Karakasit nuk ka ta ndalur. Mbështetësit e opozitës iu përgjigjën thirrjes së liderit të tyre Huan Guaido për t’u përleshur me forcat e Nikolas Maduros, në atë që ai e quajti “operacioni përfundimtar”.
Paqartësi ka sa i përket bilancit të viktimave. E konfirmuar është vdekja e një protestueseje 27-vjeçare, e vrarë nga plumbat e Ushtrisë. Ndërsa Organizatat për të drejtat e njeriut në Venezuelë raportojnë për 3 viktima dhe mbi 130 të plagosur.
Në një intervistë për mediat amerikane, Guaido pranoi dështimin e përpjekjes së tij të dy ditëve më parë për të rrëzuar qeverinë me ndihmën e Ushtrisë.
“E pranojmë se nuk pati grumbullim të mjaftueshëm, por do të këmbëngulim për të bashkuar të gjithë Forcat e Armatosura rreth nesh. Nuk bëjmë thirrje për gjakderdhje, por duam që Ushtria të jetë në anën e popullit”.
Nikolas Maduro u braktis edhe nga Shefi i Shërbimit Venezuelian të Zbulimit, Manuel Figuera. Në letrën e dorëheqjes, ai akuzoi regjimin e Maduros për korrupsion të thellë.
Tv Klan