Ëndrra e shqiptarëve për të shkuar në Britaninë e Madhe është e madhe saqë mundohen të gjejnë mënyrat më të ndryshme për të shkuar atje. Shpeshherë kemi raportuar për grupe të vogla që kapen pasi udhëtojnë me kamion, por së fundmi kjo e ka kaluar normalen.
Mësohet se 69 shqiptarë janë arrestuar pasi tentuan që të hyjnë në Britaninë e Madhe ilegalisht me anë të një anije. Mediat shkruajnë se anija ishte nisur nga Belgjika.
Bëhet fjalë për gra dhe burra shqiptarë, të cilët u gjetën në mbajtëset e peshkarexhave. Në pranga ranë edhe 3 anëtarët e bordit të anijes, një letonez dhe dy ukrainas. Anija, rreth 30 metra e gjatë e quajtur Svanic, u shoqërua në portin e Harwich të mërkurën. Dyshohet se ishte nisur drejt Suffolk-ut.
Operacioni u krye nga Agjencia Kombëtare e Krimit pas informacioneve të mbledhura se një anije u interceptua në Detin e Veriut.
“Këta persona duhet të kenë informacion të madh rreth bandave që trafikojnë njerëz. Do të shikohet nëse këta emigrantë do të riatdhesohen, por fillimisht do të nisë një hetim”, tha një burim për Daily Mail në Zyrën e Brendshme.
Në këtë operacion morën pjesë më shumë se 250 zyrtarë nga 5 agjenci të ndryshme. Në lojë u fut edhe një helikopter për të mbështetur operacionin në det.
Mediat shkruajnë se këto arrestime do të mirëpriten nga Sekretari i Brendshëm, Priti Patel, i cili është nën presion për të siguruar një marrëveshje me Francën për të mos lejuar emigrantët të kalojnë kanalin me anije të vogla.
“Ky ishte qartësisht një incident i madh dhe një përpjekje e konsiderueshme për të thyer kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar tek kufijtë. Në jemi të vendosur që të bëjmë maksimumin për të shkatërruar rrjetet që trafikojnë njerëz”, tha zv/drejtori i Hetimeve në Agjencinë Kombëtare të Krimit, Craig Naylor./tvklan.al