Kryeministri Edi Rama, zhvilloi një takim me ekipin ushtarak dhe civil të Misionit të Shqipërisë në NATO, si edhe me shqiptarët që punojnë në zyrat qendrore të Aleancës në Bruksel. Ai u tha atyre se dëgjonte vetëm vlerësime pozitiv për ta në takimet me kolegë dhe homologë të vendeve të BE, dhe se kjo e kishte një arsye.
Edi Rama: Jam shumë i vetëdijshëm që janë fjalë që burojnë nga një përmirësim i vazhdueshëm, bindës edhe mbreslënës i të gjithë qasjes sonë në raport me ta, por edhe i qasjes së tyre në raport me ne dhe qasja e tyre në raport me ne patjetër që ka ndryshuar ndjeshëm si rezultat i shumë gjërave.
Duke pranuar një hendek mes pagave që ofron Shqipëria dhe Europa, Rama u tha do të vijë shpejt dita kur edhe vendi ynë do të ofrojë të njëjta kushte ekonomike.
Edi Rama: Të gjithë ata që janë këtu dhe që punojnë për të huajt, nuk duhet të çuditen në qoftë se më herët sa vonë ne do t’ju bëjmë propozime për t’u riintegruar në trupën e shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar me paga të ngjashme. Po deri atëherë qëndroni fort, mbani vendin e punës që e keni fituar me konkurse dhe me sprova dhe teste që pa diskutim janë shumë rigoroze.
Gjatë vizitës në selinë e NATO-s ne Bruksel, kreu i qeverise shqiptare takoi edhe kreun e ri të Aleancës, Mark Rutte. Në një postim në rrjetet sociale, ai e cilësoi ish-kryeministrin holandez një mik të tijin të veçantë dhe mbështetës të paepur të Shqipërisë.
Tv Klan