Këshilli për Rregulloren e Mandatet ka shqyrtuar sërish sot kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë zhvillimit të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi ka akuzuar Vullnet Sinajn për shkelje të Kushtetutës, ndërkohë që ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke i thënë se sipas tij “nuk ka moral ta akuzojë”.

Gazment Bardhi: Përrallat që dëgjuam sot, mungesë argumenti me qëllim për të rrëzuar mocionin. Keni vendosur të shkelni Kushtetutën. Ti duhet të japësh shpjegime pse ke shkelur Kushtetutën dhe ke marrë para nga buxheti i shtetit. Kujt ia bleve votën? Këto nuk janë diskutime për Këshillin e Mandateve dhe Rregullores. Ne nuk kemi asgjë personale. Sjellja e debateve të brendshme në mbledhjen e Këshillit, provon mocionin që ne kemi dorëzuar. Kjo është një çështje e provuar në 3 institucione.

Vullnet Sinaj: E kam thënë dhe në mbledhjen e parë këtu, 7 vjet që kam deputet, nuk i kam përmendur asnjëherë të mirat që kam bërë dhe të kam thënë Bardhi, nuk kam folur 7 vjet. Por kur ti do të hedhësh baltë mbi mua dhe mbi bizneset e mia dhe të më thuash ti se kam shkelur kushtetutën, dua të di se ku e kam shkelur. Kush më akuzon mua dhe kë akuzoni ju? Nuk e di se çfarë ke bërë në gjithë jetën tënde për t’i dhënë këtij vendi? Ti e ke filluar punën si anëtar i Bordit të Hipotekës dhe ke vazhduar me ministër. Unë kam punuar gjithë kohën. Kam 2 mijë e 500 familje që punojnë tek ai biznesi im. Ti vetëm i ke marrë këtij shteti. Ty të mungon morali të më akuzosh mua, të mungon morali, dietat e tua janë më të mëdha.

Gazment Bardhi: Ai është përmendur që ka miratuar ligj në konflikt interesi dhe për të rënduar dhe falimentuar të gjitha bizneset e vogla që tregtojnë ushqime. Zotëria është ai që me votën e tij në Kuvend ka përfituar ulje të tatimeve për llogari të biznesit. Ka qenë biznes në faliment dhe sapo ka ardhur deputet, ka shkuar në fitime që s’dihet.

Mbledhja e Këshillit është ndërprerë pas këtij debati pasi Gazment Bardhi ka komunikuar lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të ish-deputetit të PD-së, Gert Bogdani.


/tvklan.al