Sot është e enjtja e fundit për këtë sezon televiziv të emisionit “Stop”. Dhe si për të mos prishur traditën e kësaj dite, stafi i emisionit ka përgatitur momentet më pikante të punimeve të parlamentit. Gjatë këtij sesioni kuvendor nuk kanë munguar debatet e batutat mes kryeministrit Rama dhe deputetëve të opozitës së re, por jo vetëm.
Më 14 Maj, deputetët dhe ministrat iu rikthyen sallës së Kuvendit, pas ndërprerjes për shkak të pandemisë. Gjithsecili mbante radhë, ndërsa në hyrje kontrolloheshin për temperaturën. Në po të njëjtën seancë plenare janë mbajtur disa fjalime pikante.
“Kështu e keni bërë Kushtetutën, si ato prostitutat e Amsterdamit. Se që PD-ja është në krevat me PS-në në këtë moment, as që ka diskutim”, deklaronte deputeti Ralf Gjoni.
Në momentet më pikante nuk mund të mungonte edhe ajo e deputetit opozitar që ngatërroi poezinë e Pashko Vasës “Ah moj shqypni”.
“Për çfarë burrash e ka pasur fjalën At Gjergj Fishta”, tha ai pasi mbaroi se recituari poezinë.
Më 21 Maj, deputeti i opozitës Andi Përmeti deebatoi me kryeparlamentarin Ruçi pasi i kërkoi që të mbante 1 minut heshtje për shembjen e teatrit.
“Ulu koleg deputet, ulu poshtë. Ulu poshtë. Jo”, tha Ruçi.
Nuk mungon as gjesti i Ralf Gjonit që nxorri lëpirëse në foltoren e Kuvendit.
“Lëpirësa jeni. Ju meritoni vetëm lolipop”, tha Gjoni.
Por e menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Ruçit: Nuk të kërkova hesap se çfarë fut në xhepa ti, por daç në xhep, daç në gojë, bëj çtë duash është e drejta jote.
Më 4 Qershor, gjatë seancës pati një debat mes kryeministrit Ramës dhe deputetit Kujtim Gjuzi.
“Edhe kur përdor kravatë, këmishën fute brenda, të lutem. Këmisha jashtë pa kravatë. Kravata lartë, këmisha brenda”, tha Rama.
Në një tjetër debat, kësaj here me Rudina Hajdarin, kryeministri e siguron që nuk ka bërë asnjë “martesë” me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.
“Same people, same people. Ne nuk jemi në kushtet kur kemi bërë ndonjë marrëveshje martesë që ta dish se ti e vuan shumë idenë e martesës sime me Lulin. Mos ki merak zonja Hajdari se unë nuk hyj tek ata se ti e ke thënë vetë, “unë jam sulltan”… nuk hyj tek ata që marrin urdhra nga jeniçerët e Lulit”, tha Rama./tvklan.al