Sabia Akram ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj duke bërë fushatë për Partinë Laburiste të opozitës në Britani, por ajo nuk do të festojë nëse ajo fiton zgjedhjet e 4 korrikut.
Arsyeja shumë e thjeshtë , pasi ajo dha dorëheqjen për trajtimin e çështjeve të luftës në Gaza . Partia Laburiste mban një epërsi në sondazhet pasi Starmer e ktheu atë në qendër pas një mposhtjeje në zgjedhjet e 2019 nën paraardhësin e tij, socialistin veteran Jeremy Corbyn.
Por Starmer ka humbur mbështetjen e disa votuesve të pakicave që tradicionalisht votojnë Laburistët, për shkak të mbështetjes së tij për Izraelin dhe vetëm për ndryshimin gradualisht të pozicionit të partisë drejt mbështetjes së armëpushimit në Gaza. Trajtimi i laburistëve ndaj Diane Abbott, ligjvënëses së parë grua me ngjyrë në Britani dhe bllokimi i një kandidati mysliman për të marrë pjesë në zgjedhje kanë larguar gjithashtu disa votues, sipas intervistave me votues, një anketues, aktivistë politikë dhe akademikë.
Starmer u përpoq ta kthente partinë në qendër, duke promovuar kandidatë për zgjedhje të cilët do të votonin si një bllok i disiplinuar nëse fitonin, dhe ky ndryshim ka larguar disa pakica etnike që mbështetën Corbyn dhe vizionin e tij të majtë. Muajin e kaluar Starmer, duke folur pasi partia e tij fitoi një vend parlamenti në Anglinë veriore dhe kontrollin e disa këshillave në të gjithë Anglinë, pranoi se opinionet mbi luftën në Gaza kishin pasur ndikim në mbështetjen e laburistëve në disa zona.
Sofia Collignon, profesoreshë e asociuar në Universitetin Queen Mary, shprehet se ndërsa ristrukturimi i partisë është në nivel kombëtar ai kishte shkaktuar tensione midis anëtarëve dhe votuesve dhe se sfida e Starmer ishte të mbante të gjitha fijet e ndryshme së bashku. Kritikët si Akram thonë se Starmer ka shitur “shpirtin e laburistëve për të kërkuar çelësat e numrit 10”, duke iu referuar rezidencës së kryeministrave britanikë.
Sofia Collignon, profesoreshë e asociuar në Universitetin Queen Mary: Partia Laburiste do të fillojë të tjetërsojë grupe të veçanta të popullsisë dhe unë mendoj se kjo është e rëndësishme sepse ne duam që më shumë kandidatë me ngjyrë, aziatike dhe pakicë të kandidojnë për poste. Ne duam të përmirësojmë pjesëmarrjen midis këtyre grupeve të nënpërfaqësuara. Dhe nëse ne po shohim tani që ata nuk ndihen të mirëpritur në parti ose nuk e ndjejnë se kanë marrë respektin edhe nga partia, mendoj se kjo mund të jetë problematike.
Akram, 43 vjeç dha dorëheqjen si këshilltare laburiste në Slough, në perëndim të Londrës, në fillim të qershorit së bashku me gjashtë të tjerë, duke përmendur atë që ajo e shihte si censurë për çështjen e luftës në Gaza. Ajo përmendi gjithashtu trajtimin e Faiza Shaheen, e cila u bllokua nga kandidimi si kandidat i laburistëve në një vend në verilindje të Londrës.
Sabia Akram, ish-kandidate e Partisë Laburiste: Ne kemi pasur role të ndryshme. Pra, disa prej nesh kanë qenë në role të larta, si brenda pushtetit lokal ashtu edhe brenda partisë elektorale. Por mendoj se disa prej tyre, veçanërisht, me gjënë që na bëri më shumë jehonë, ishte rreth trajtimit e Faiza Shaheen dhe Diane Abbott. Ne kemi ankesa rreth islamofobisë, bullizmit, por megjithatë ata nuk kanë parë të njëjtin prioritet si ato që ishin antisemitike. Tani, kur Keir Starmer po flet për linjën e tij të re të një Partie Laburiste të ndryshuar, dimë se ai po flet në lidhje me antisemitizmin apo largimin e partisë nga antisemitizmi, por pyetja jonë është, a e ka larguar partinë nga islamofobia apo racizmi apo ndonjë formë tjetër paragjykimi ?
Shaheen tha se ajo u pushua nga puna për 14 postime në X, që datonin prej më shumë se 10 vitesh, shumë prej të cilave ishin të lidhura me konfliktin izraelito-palestinez. Një sondazh i Ipsos për synimet e votimit të pakicave etnike zbuloi se Starmer, në gjysmën e dytë të 2023, kishte vlerësimin më të ulët nga çdo lider i opozitës laburiste që nga fillimi i serisë në 1996. Me epërsinë e saj prej 20 pikësh në sondazhe, shqetësimet midis pakicave etnike sipas analistëve mund të mos ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
Sabia Akram, ish-kandidate e Partisë Laburiste: Ne kemi një boshllëk të madh njerëzish që besojnë se partia është domosdoshmërish ajo që thotë se është, dhe unë nuk mendoj e Partia e Laburiste nuk duhet të ishte e shqetësuar me atë që perceptohet se nuk është më shumë sesa fokusohu në atë që është. Unë mendoj se për momentin shumica e njerëzve thonë dhe sigurisht besoj se është e vërtetë, është se kjo parti është një nuancë më e lehtë e blusë dhe jo më një e kuqe e fortë, dhe jo një vend më i sigurt për njerëzit me ngjyrë.
Laburistët kanë qenë prej kohësh shtëpia politike e shumë votuesve të pakicave etnike. Sipas British Future, një institut kërkimi, një në pesë nga kandidatët e tij për zgjedhje janë me prejardhje të pakicës etnike. Regjistrimi i fundit i vitit 2021 tha se 18% e popullsisë në Angli dhe Uells ishin pakica etnike. Akram kritikoi gjithashtu trajtimin e Abbott, një aleat i ngushtë i Corbyn-it, i cili u pezullua nga Laburistët për më shumë se një vit pasi tha se hebrenjtë, irlandezët dhe udhëtarët nuk u përballën me racizëm gjatë gjithë jetës së tyre.
Ngozi Fulani, themelues dhe CEO i organizatës bamirëse të abuzimit në familje Sistah Space e cila është e vendosur në lagjen e Abbott në Hackney, shprehet se shumë njerëz me ngjyrë kishin dashur që ajo të kandidonte si e pavarur.
Ngozi Fulani, CEO e “Sistah Space”: Unë mendoj se racizmi dhe dhuna nuk janë vetëm një problem, ai duhet të jetë një problem i të gjithëve. Jam shumë e zhgënjyer nga udhëheqja e Partisë Laburiste që lejoi që kjo të ndodhë dhe jam gjithashtu shumë e vetëdijshme se megjithëse Diane Abbott ka pasur numrin më të madh të abuzimeve dhe kërcënimeve me vdekje nga çdo person politik, dhe mendoj se gratë e tjera me ngjyrë në politikë, gjithashtu po përballen me abuzime raciste dhe kërcënime me vdekje.
Hackney, një lagje verilindore e Londrës ku 21% e popullsisë janë njerëz me ngjyrë, është ndër zonat më të privuara të kryeqytetit, me më shumë se familjet që jetojnë nën kufirin e varfërisë pasi janë llogaritur kostot e strehimit.
Nga 18 personat e intervistuar nga Reuters atje, të cilët kanë mbështetur Abbott për gati katër dekada, 14 thanë se mendonin se ajo ishte trajtuar keq dhe se do të votonin për të në zgjedhjet e ardhshme pasI ajo të rivendosej sërish si kandidate. Starmer, ish-kryeprokurori i vendit, u bë lider i Laburistëve në prill 2020, duke u zotuar për reforma pasi mbikëqyrësi i barazive tha se partia kishte diskriminuar hebrenjtë.
“Unë jam 69 vjeç, kam jetuar vitet gjashtëdhjetë këtu me racizmin, ne e dimë atë, ne u përpoqëm ta luftojmë, arritëm deri këtu, por ata janë institucionalizuar, duke u fshehur prapa skenës,” tha një banor.
“Nuk ka shumë dallim për njerëzit e pasur dhe ata me të ardhura më të pakta që përpiqen të bëjnë një ndryshim, ata i mbajnë ata jashtë , këta janë të vetmit njerëz që duan vërtet ndryshim,” shtoi një tjetër.
Një hetim i pavarur i vitit 2022 gjeti gjithashtu racizëm strukturor, seksizëm në parti, dhe një “hierarki racizmi” ku trajtimi i antisemitizmit ishte prioriteti. Megjithatë, partitë e tjera – duke përfshirë konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak – kanë përfaqësim më të dukshëm në strukturat qeveritare dhe partiake sesa laburistët, kjo gjë që mund t’i tërheqë votuesit më shumë drejt tyre në të ardhmen.
Klan News