“Kënga Magjike 2024” mbërrin sonte në vijën e finishit, në natën finale ku 23 finalistë do të garojnë për çmimin e madh, një transmetim që mund ta ndiqni në Tv Klan. Ky edicion ka sjellë jo vetëm këngë, por edhe surpriza e risi duke ripërcaktuar sërish standardet më të larta të realizimit të një festivali. Inteligjenca Artificiale kapushtuar botën, por për herë të parë erdhi në një festival të përmasave të tilla në Shqipëri.

Megjithatë, asgjë nuk realizohet veç përmes IA sepse janë qindra orë pune, njerëz që  përpiqen për të sjellë më të mirën, që konceptojnë, zbatojnë, realizojnë dhe sjellin prekjen e ëndrrave në sallën e Pallatit të Koncerteve. Producenti dhe drejtuesi i “Këngës Magjike”, Ardit Gjebrea e thekson këtë në fjalën e tij hapëse të spektaklit, një monolog për punën kolosale që si emërues të përbashkët ka dashurinë e si gjurmë, muzikën.

Ardit Gjebrea: Secili nga ne ka ëndrrat e veta që i merr kudo me vete, nga mendimet e fundit para se t’i dorëzohet gjumit e deri në dëshirat e para sapo gdhin dita e re. Ne gjithmonë shoqërohemi nga përpjekja për t’i realizuar nga ëndrrat tona dhe ashtu ndodh edhe me këtë sallë, e mistershme në boshllëkun e saj,  e përfshirë nga vetmia dhe deri ditën që vjen dikush për të hequr tisin e trishtimit dhe ftohtësisë e pret ta veshë me vellon e bardhë të një nuseje që mezi pret të festojë dashurinë e saj. Mblidhemi së bashku, diskutojmë, si ta sjellim ndryshe këtë sallë, si të ruajmë klasin e viteve, si të krijojmë kushte maksimale  për artistët për të marrë maksimumin e tyre në ndjesi, muzikë dhe interpretim? Po me cilët do të punojmë këtë edicion? Shohim variante të ndryshme skenografie,  dëgjojmë këngët dhe fillojmë telefonat nëpër Shqipëri, Itali, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Greqi, Angli dhe fillon puna. Vijmë këtu, punohet hekuri, druri, vijnë qindra metra katrorë LED Wall, mijëra metra linearë shiriti LED-i dinamik, dhjetëra pajisje zëri, qindra aparatura të ndriçimit, të gjitha për ta bërë këtë sallë më të bukurën, më të shndritshmen. Emëruesi i përbashkët? Dashuria. Lëmë kujtime të reja, gjurmë për të cilat krenohemi një ditë. Dhe në fund, ajo që mbetet është muzika, ajo që na bashkon, përgjigjja e çdo fjalie, veprimi, ndjesie ndaj dhe në këtë edicion magjik, fillin përshkues e gjetëm aty dhe pa mëdyshje vendosëm, #musicistheanswer. Zonja dhe zotërinj, mirë se erdhët në natën finale të edicionit të 24-t të festivalit “Kënga Magjike!”/tvklan.al