Mjekja onkologe Kleida Mati e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan është shprehur se problemi kryesor në trajtimin e të sëmurëve me kancer qëndron tek keqmenaxhimi i resurseve.
Mjekja theksoi se për një pjesë të tumoreve janë të mjaftueshme medikamentet, por këto resurse sipas saj nuk menaxhohen siç duhet.
Kleida Mati: Problemi në fakt qëndron tek përdorimi i resurseve që ne kemi në mënyrë efiçente. Ne këtë nuk jemi në gjendje që të bëjmë.
Blendi Fevziu: Resurset i kemi të mjaftueshme e para?
Kleida Mati: Shiko e para duhet të nisim tek mirëpërdorimi i atyre që kemi pastaj të shohim dhe të planifikojmë…
Blendi Fevziu: Po ato që kemi a janë të mjaftueshme?
Kleida Mati: Po për një pjesë të mirë të tumoreve janë të mjaftueshme do të thoja. Për kancerin e gjirit ne kemi resurse të mjaftueshme për të thënë që e trajtojmë shumë mirë këtë sëmundje. Çështja qëndron këtu, a po i menaxhojmë mirë ne këto resurse? Ne japim, në një prej bisedave doli që kaq është buxheti i analizave. Ne japim analiza dhe dikush aty përmendte ndoshta pavione të tjera që kanë mundësi të japin më tepër. Ne japim analiza atëherë kur nuk duhet të japim analiza, ne japim markus tumoral, atëherë kur nuk duhet të japim, japim skaner atje ku nuk duhet të japim dhe nuk japim kur duhet të japim. Ky është një keqmenaxhim i resurseve. Kjo është shumë e rëndësishme.
Ndër të tjera mjekja u shpreh se një tjetër problem në vendin tonë është edhe mënyra se si shprehemi për sëmundjet tumorale. Mati theksoi se duhet të ndryshohet narativa kur flitet për kancerin dhe të mos përdoren shprehje si “këto njerëz i ka vrarë perëndia apo janë të dënuar me vdekje”./tvklan.al