Kërkesat për punonjës të kualifikuar dhe me eksperiencë, është një nga sfidat e tregut të punës. Erika Lule është një studente e sapodiplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës në degën mekatronikë, e cila thotë se vendin e punës e siguroi nëpërmjet zyrave të Këshillimit të Karrierës që operon në universitet.

Erika Lule: Nëpërmjet zyrës unë kam patur mundësinë që të kem kontakt me disa kompani që operojnë në vendin tonë dhe të bëhem pjesë e një kompanie. Jam e sapodiplomuar dhe kam 1 muaj e pak që jam punësuar përmes Zyrës së Karrierës.

Për të qenë me afër tregut të punës, Zyrat e Këshillimit të Karrierës kanë lidhur marrëveshje me mbi 100 kompani vendase dhe të huaj për punësimin e studentëve. Sipas tyre, kërkesat për punësim mbeten të larta.

Vilma Kume, pedagoge, Universiteti Politeknik: Janë mbi 100 marrëveshje me bizneset. Kemi kërkesë nga tregu i punës në lidhje me teknologjinë e informacionit, inxhinierinë mekanike dhe elektrike, apo edhe arkitekturën.

Afro 300 studentë në vit punësohen në fusha të ndryshme.

“Në të 7 fakultetet e universitetit kemi nga një zyrë të Këshillimit të Studentit dhe për t’i ndihmuar ata në lidhje me zhvillimin e karrierës së tyre. Përfshin këshillim individual, në grup si, dhe workshope dhe trajnime. Zhvillojmë edhe Panairin e Karrierës, ku studenti njihet me ofertat e tregut të punës gjatë gjithë vitit mund të kemi mbi 300 punësime dhe intershipe në biznese vendase dhe të huaja.”

Ashtu si vendet e rajonit, edhe Shqipëria po vuan mungesën e forcës së punës. Në Agjencinë Kombëtare të Aftësimit dhe Punësimit, çdo muaj shpallen afro 5500 vende të lira të punës, por shumica e bizneseve nuk arrijnë t’i plotësojnë vakancat e tyre.

Tv Klan