Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë publikoi më 8 Janar një raport i cili tregonte profesionet që do të kenë një rritje, dhe ato që do të kenë një rënie që nga viti 2025 e deri në vitin 2030. Lidhur me këtë raport diskutoi paneli i të ftuarve pasditen e kësaj të premteje në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Ata folën rreth çdo profesioni që ka tendenca për rritje.

Në listën prej 15 profesioneve më të kërkuara, dominonin ato që kishin të bënin me databazat, Inteligjencën Artificiale, inxhinierinë kibernetike e ato të softwere-ve. Pjesë e kësaj liste ishte dhe bujqësia. Tingëllon çuditshëm që një profesion kaq i lashtë, që me zhvillimin e njeriut të vazhdojë të jetë dominant një treg pune i cili është i priur drejt teknologjisë së avancuar.

Agi Haxhimurati tha se ky profesion për fat të keq është në harresë në pjesën më të madhe të vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë. Sipas tij renditja e bujqësisë në 15 profesionet më të kërkuara nuk është rastësi, apo çudi. Ai shton se pavarësisht se sa mund të evoluojë teknologjia, ajo nuk do të jetë e aftë të zëvendësojë produktet e konsumit të prodhuara nga krahu i punës njerëzore.

“Ka dhe shumë profesione që unë mund t’i quaj bazike sepse tani po ndodh dhe një lloj ironie në vetvete. Aq sa po ecim përpara me teknologjinë, aq më shumë po kuptojmë se kemi nevojë dhe për ato nevojat bazike. Nëse shihni tek raporti njëra nga punët e cila do të kërkohet më së shumti është edhe bujqësia. Ne shumë rrallë e përmendim këtë pjesën e bujqësisë, për shkak se energjia trupore varet drejtpërdrejt nga bujqësia. Bujqësia nuk ka nevojë që edhe në fshat të thellë të Shqipërisë të ketë një teknologji shumë të lartë, por ka nevojë që të jetë motivimi shumë i lartë. Unë mendoj se ka rënë motivimi për disa nga punët që ne fatkeqësisht i kemi lënë në harresë. Vetë raporti na kujton që ato punë janë në rritje dhe do të kërkohen gjithnjë e më shumë. Pikërisht bujqësia dhe agrokultura. Agrokultura edhe sot mund të vazhdohet të punohet”, tha Agi Haxhimurati./tvklan.al