Lajme Arkiva 2003
Këshilli i Ministrave miratoi kontratën e privatizimit të Bankës së Kursimeve në favor të Raiffeisen Bank për një vlerë prej 126 milionë Dollarë që do të paguhen kesh.
Fatos Nano: Përfshirë dhe divitentin vjetor të Bankës së Kursimeve prej 21 milionë Dollarësh, më lejoni t’ju them se sot Shqipëria, buxheti i shtetit dhe programet e zhvillimit janë gati 150 milionë Dollarë më të pasura. Duke vlerësuar interesin dhe pjesëmarrjen në garë edhe të një bankë tjetër prestigjioze hungareze OTP, gjej rastin të deklarojë me kënaqësi se procesi i privatizimit të Bankës së Kursimeve mund të konsiderohet dhe të vlerësohet më transparenti dhe më i suksesshmi në historinë e privatizimeve tona, në ndihmë të transformimit të ekonomisë shqiptare drejt strukturave dhe standardeve të ekonomisë globale.
Banka e Kursimeve aktualisht është më e madhja në vend dhe administron gati 50% të kursimeve të shtetasve dhe sipërmarrjes ose 1.3 miliardë Dollarë.
Fatos Nano: Garanci më të madhe se sa ky privatizim i madh për sigurinë e tyre nuk mund të arrihej. Koeficienti i shitjes së Bankës së Kursimeve të Shqipërisë, prej tre herë më e lartë se vlera e librit të inventarit për bankën qëndron mbi nivelet e rasteve analoge të shitjes së bankave në të gjithë Evropën Lindore.
Një nga sukseset më të mëdha në këto 13 vjet tranzicion, kështu e ka cilësuar privatizimin e Bankës së Kursimeve Ministri i Financave Kastriot Islami.
Kastriot Islami: Prezenca e kësaj banke në Shqipëri do të thotë më shumë stabilitet në sistemin bankar, më shpejt rregulla loje të qarta të standardeve evropiane, më shumë diversitet, më shumë kredi, shpejtësi më të madhe në shtrirjen rajonale të asocimeve, më shumë profesionalizëm, më shumë modernizim dhe kompjuterizim të transfertave, më shumë lehtësi e shtrirje të shërbimeve për klientët./tvklan.al