Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është shprehur se këtë vit nis puna për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës.
Gjatë fjalës së saj në konferencën “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurtë”, Balluku theksoi se në të dyja anët e këtij aksi do të ketë shtim të një korsie si dhe korsinë e emergjencës duke e afruar kështu me kriteret e autostradave të Bashkimit Europian.
Belinda Balluku: Planet tona për vitin e ardhshëm janë shumë të rëndësishme. Do të nisim menjëherë nga puna këtë vit për zgjerimin e aksit Tiranë-Durrës, një aks shumë i rëndësishëm i cili sot mban peshën kryesore të trafikut, por duke pasur parasysh ndërtimin e akseve të tjera pra Thuman –Kasharit dhe më pas Kashar-Lekaj një pjesë e mirë e trafikut do të largohet nga kjo autostradë për tu drejtuar në Koridorin Blu drejt Rrogozhinës. Por duke pasur parasysh ndërtimin e ballinës ujore të Durrësit që tashmë është nisur nga puna duket edhe gjithë ecuria që kemi aty për plazhin e ri që po krijohet dhe nga ana tjetër ndërtimi i Porto Romanos ku me gjasë do të kemi edhe një bazë të NATO-s do të kërkojnë që aksi Tiranë-Durrës të jetë një aks i parametrave të rinj kështu që në të dyja anët e këtij aksi do të ketë shtim të një korsie plus korsinë e emergjencës duke e kaluar kështu në një kategori më të lartë të kritereve të autostradave të Bashkimit Europian.
Ndër të tjera gjatë fjalës së saj zëvendëskryeministrja gjithashtu u ndal edhe tek problemi i trafikut, ku theksoi se në pika të rëndësishme do të vendosen tabela informuese të cilat tregojnë se si është fluksi.
Belinda Balluku: Nga ana tjetër do të vendosen në pika të rëndësishëm tabela informuese të cilat tregojnë se si është fluksi i trafikut sepse kemi vënë re që kohët e fundit të gjithë drejtuesit e automjeteve që futen në Tiranë preferojnë hyrjen nga Elbasani e cila sigurisht për shkak se jemi në proces për nisjen e të gjithë procedurave për ndërtimin e bajpasit të Elbasanit për momentin rruga kombëtare futet në një hinkë pra në pjesën që akseson autostradën Elbasan-Tiranë duke krijuar rradhë të gjata të trafikut ndërkohë që shpesh rruga që kalon nga Kavaja dhe Durrësi është më e lirë, por nuk zgjidhet nga qytetari kështu që në këto raste do të ketë tabela informuese që i tregon qytetarëve se kush është rruga me më pak trafik apo ku nuk ka problematika sepse përshembull Tiranë-Durrësi njihet për problematikat në aksidentet rrugore./tvklan.al