Të martën pritet të publikohet raporti mbi kapacitetin mbajtës të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pasi javën e kaluar është bërë testimi me kamionë të ngarkuar rëndë.
Ndërkohë, të hënën kanë vazhduar punimet për rregullimin e hapësirave në urë. Njësitë e KFOR-it, konkretisht karabinierët italianë që gjithmonë qëndrojnë në këtë vend kanë vëzhguar Situatën.
Ky mision konsideron se çdo veprim në lidhje me hapjen e urës mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Kurrë nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar hipotetik.”
Hapjen e urës e kanë kundërshtuar SHBA-ja dhe BE-ja, duke e cilësuar vendim të njëanshëm të Qeverisë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë të dielën se pret hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë, më 14 ose 15 Gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend nga agjencitë e huaja.
Ka kërkuar nga KFOR-i të mos lejojë hapjen e urës. Ura aktualisht është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për makina.
Tv Klan