Tridhjetë ditë paraburgim i ka caktuar gjykata, Jovan Viçentieviç, i arrestuar të dielën si i dyshuar për sulmin në Ibër-Lepenc. Viçentieviç është personi i dytë i dyshuar në mesin e 10 të arrestuarve që i është caktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh. Pala Mbrojtëse ka thënë para mediave se klienti i tij nuk ka lidhje me sulmin terrorist në Zubin-Potok.
“I pandehuri ka shpjeguar lëvizjen e tij gjatë asaj kohe kur ndodhi ngjarja dhe se nuk ka lidhje me vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe kjo duhet të merret parasysh”, Nebojsha Vllajiç, avokati i Jovan Viçentijeviç.
Sipas tij armët e gjetura në shtëpinë e tij s’kanë lidhje me pretendimet.
“Nuk janë gjetur eksploziv, as çakmakë, as detonatorë, kështu që edhe ajo që është gjetur nuk e vërteton atë që pretendon prokurori i shtetit”, shton Vllajiç.
Policia kishte arrestuar si të dyshuar në orët e mbrëmjes së 1 dhjetorit, nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.
Policia gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit ka njoftuar të ketë sekuestruar edhe armë, përfshirë dhe pajisje ushtarake, katër granata dore, një pushkë gjuetie, 500 copë municione të kalibrave të ndryshëm, karikatorë të ndryshëm, radiolidhje, dylbi, një kamerë kamoflueuse, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.
Në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Tv Klan