Situata e furnizimit me ujë të banorëve të veriut të Kosovës dhe termocentraleve të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës po shkon drejt normalizimit.

Dy ditë pasi një shpërthim me lëndë plasëse dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit autoritetet kanë mundur të riparojnë përkohësisht problematikën e shfaqur dhe të rinisin furnizimin me ujë.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, e cila pasi vizitoi vendin e ngjarjes, njoftoi në rrjetet sociale se në orët e vona të së shtunës ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Ndërkohë që sot, uji është lëshuar edhe për depot e Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skënderaj.

Për t’u ofruar qytetarëve furnizim me ujë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, Kompanitë Rajonale të Ujit, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Zjarrfikësit e Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës kanë vendosur autobotë në disa pika.

Ministrja Rizvanolli njoftoi gjithashtu aktualisht në kanal ka prurje deri në 3 mijë litra në sekondë, sasi e mjaftueshme kjo për furnizim me ujë të termocentralit Kosova B.

Një ditë më parë Policia e Kosovës arrestoi tetë persona si të dyshuar për shpërthimin e së premtes mbrëma, ndërsa sekuestroi edhe një arsenal të madh armësh në veri.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në konferencën për shtyp tha se sulmi ishte i mirëorganizuar nga ato që i cilëson si organizata terroriste.

Sulmi u dënua me herët edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili e cilësoi atë si terrorist. Kanali mbi 40 kilometra i gjatë furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve të saj.

Tv Klan