Asambleja parlamentare do të diskutojë raportin vjetor për vendin tonë

Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës do të vendose më 16 Prill për heqjen ose jo të procedurës së monitorimit për Shqipërinë e cila zgjat prej gati dy dekadash. Klan News ka arritur që të zbardhë raportit vjetor të Komitetit të Monitorimit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë.

Në këtë raport, Komiteti i Monitorimit vlerëson respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria. Në Strasburg mirëpresin zbehjen e krizës sistematike politike në vend.

Shprehin njëlloj kënaqësie me përparimin e bërë në luftën kundër përhapjes së gjerë te korrupsionit duke përfshirë edhe dënimet e nivelit të lartë.

“Në dritën e progresit dhe duke njohur vullnetin e qartë politik të shprehur nga shumica qeverisëse, komiteti i monitorimit i rekomandon Asamblesë Parlamentare që të mbyllë procedurën e monitorimit për Shqipërinë dhe të angazhohet një dialog pas monitorimit me objektivin për të adresuar shqetësimet e mbetura. KiE është i gatshëm që të propozojë kthimin e procedurës së plotë të monitorimit ndaj Shqipërisë nëse në kohën e raportin e parë në kuadër të dialogut pas monitorimit, nuk do të ketë progres konkret dhe të prekshëm në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e pakicave, lirinë e medias dhe të shprehjes.”

Strasburgu vë në dukje edhe zhvillimet e fundit politike në vend.

“Mjedisi i polarizuar politik në Shqipëri, është thembra e Akilit për konsolidimin e demokracisë në vend. KiE mirëpret faktin se kriza e stërzgjatur sistematike politike që ka pllakosur vendin vitet e fundit ka filluar të zbehet, megjithëse shkaqet e saj rrënjësore nuk janë zgjidhur ende.”  

KiE është i shqetësuar për ndryshimet e shpeshta të kuadrit zgjedhor në Shqipëri, të cilat reflektojnë një tendencë për të luajtur me rregullat e lojës në vend. Strasburgu apelon të gjithë aktorët politikë që të adresojnë, fenomene të identifikuara gjatë zgjedhjeve të kaluara, si abuzimi me burimet administrative, financimi i fushatës elektorale dhe blerja e votave.

Strasburgu u kërkon palëve politike që të miratojnë, si çështje prioritare dhe shumë kohë përpara se të zhvillohen zgjedhjet, legjislacionin për të lejuar votimin jashtë vendit të diasporës së madhe shqiptare që jeton jashtë vendit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

KiE shpreh keqardhjen që parlamenti nuk ka mundur të gjejë shumicën e kërkuar prej 2/3 që të emërojë Avokatin e ri të Popullit dhe Komisionerin e ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mandati i të cilëve ka mbaruar.

Ata propozojnë që ligjvënësit të përdorin në këtë rast mekanizmat zhbllokues duke ulur shumicën e kërkuar të votave si në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Klan News