Kim: Jo llogoreve dhe kushteve të reja
Palët nuk arritën të gjejnë dakordësinë brenda afatit të paravendosur, por shpresat nuk janë prerë për miratimin e Reformës Zgjedhore. Procesin po e ndihmojnë për ta shtyrë përpara dhe diplomatet e SHBA-ve, BE-së dhe Britanisë së Madhe në Tiranë. Ata kanë marrë në dorë negociatat për ta afruar mazhorancën dhe opozitën jashtë parlamentare sa më pranë dakordësisë.
Gjatë paradites ambasadorët e këtyre 3 vendeve kanë dalë me deklarata që inkurajojnë palët të lëshojnë nga pozicionet e tyre në të mire të një ligji elektoral te pakontestueshëm dhe të mos vendosin kushte të reja.
“Të gjitha palët kanë lëvizur dhe kanë treguar se janë shumë afër. Ju vendosët një synim, ju vendosët afatin 31 maj. Tani është koha të ndalni së këmbënguluri në pozicione të pazbatueshme dhe apo vendosje kushtesh te reja. Është koha të mbani fjalën ndaj popullit shqiptar. Është koha të jepni rezultate”, tha Kim.
“Një marrëveshje e menjëhershme nga të gjitha palët në Këshillin Politik është e mundshme dhe duhet të përfundohet tani për të filluar – negociatat e pranimit sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Soreca.
“Sot është dita për të vënë popullin e Shqipërisë të parin dhe për të gjetur dakordësinë e nevojshme për të çuar vendin përpara”, tha Norman.
Përpjekjen për arritjen e konsensusit diplomatët e huaj e vijuan edhe në orët e pasdites, ku për më shumë se 60 minuta tre ambasadorët, ajo e SHBA-vë, Yuri Kim, Ambasadori i Bashkimit Europian si dhe ai i Britanisë së Madhe u takuan me kreun e opozitës, Lulzim Basha.
Pas takimit asnjë prej ambasadorëve nuk u prononcua për mediat, por mësohet se diplomatët e huaj kanë kërkuar angazhimin e palëve për arritjen e një dakordësie, pas dështimit të së enjtes që nuk solli marrëveshjen e premtuar nga mazhoranca dhe opozita.
Tre janë çështjet që deri më tani po mbajnë palët larg arritjes së konsensusit, administrata zgjedhore, fati i Kolegjit Zgjedhor si dhe çështja e kryekomisionerit, ndërsa për identifikimin biometrik në zgjedhje duket se pas takimit të së dielës socialistët janë tërhequr pavarësisht opinionit të ekspertëve të ODIHR-it që sugjeronin përdorimin e teknologjisë në vetëm 10% të territorit.
Tv Klan