S’ka pazar me Reformën në Drejtësi dhe Zgjedhore
Dyshimet që hodhi një ditë më parë për një marrëveshje politike që vriste Reformën në Drejtësi, Juri Kim i përsëriti në formën e një ultimatumi.
Në mesazhin e dytë kundër tentativave për një marrëveshje të politikës shqiptare, Ambasadorja amerikane ishte e drejtpërdrejtë.
“Këto të dyja nuk janë për të bërë pazar. Janë domosdoshmëri, ka ardhur koha të reshtni së bëri pazare, është koha të bëhet Reforma në Drejtësi dhe Zgjedhore, sikurse drejtuesit kanë premtuar popullit shqiptar”.
Në prononcimin që dha për mediat, Ambasadorja u kujdes të sqarojë se dy çështjet për të cilat nuk mund të luhet më janë Reforma në Drejtësi dhe ajo Zgjedhore.
“Mesazhi është shumë i qartë. SHBA do të njëjtën gjë që populli shqiptar do. Duam që Shqipëria të jetë një aleate e fortë dhe i aftë i SHBA dhe duam që të jeni pjesë e familjes Europiane. Nuk mund ta keni atë pa një Reformë Zgjedhore dhe pa një Reformë në Drejtësi”.
Ambasadorja amerikane ka folur për një marrëveshje pas krahëve, që do të vriste Reformën në Drejtësi, fill pas takimit që pati në Presidencë, një ditë më parë. Në anën tjetër, kreu i shtetit ka propozuar një platformë me 11 pika, ku preket edhe Reforma në Drejtësi.
Tv Klan