Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij për media ka hedhur akuza të reja lidhur me drejtësinë në Shqipëri, duke pretenduar se gjyqtarja Ilirjana Olldashi është kërcënuar dhe është larguar nga detyra për shkak të një dosjeje që përfshinte kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Berisha në fjalën e tij thotë se, emri i Olldashit është përmendur në komunikimet e përgjuara në EncroChat, ndonëse ajo vetë nuk e ka përdorur këtë platformë.
“E morët vesh tani se çfarë ka ndodhur me Ilirjanën? Ilirjana Olldashit i ka dalë emri, jo se ka pasur në Encrochat, por kanë folur të tjerët për Ilirjanën dhe këta e kanë kërcënuar dhe Ilirjana është zhdukur, ka marrë një raport pafundësisht. Se kishte dosjen e Erion Veliajt. Ja pra, ky është mekanizmi se si këta e përcollën me raport me afat të gjatë zonjën Olldashi sepse filani kishte thënë këto, ai kishte thënë ato.
Po ato mund t’i kenë organizuar edhe vetë… kush i merr vesh këto punë. Kjo formë kontrolli mbi gjykatësit që trajtojnë dosje që shkojnë nga Skapi, merr fundi. Do ketë një kontroll tjetër, por jo këta që janë në konflikt të plotë interesi. Së fundmi, kush i kontrollon këta? A mundet të ketë një institucion jashtë kontrollit? Askund nuk ekziston në një republikë parlamentare në demokraci. Nuk ka asnjë institucion jashtë kontrolli, përveç kontrollit të pengmarrësve.
Këta duhet të kenë sistemin e kontrollit si në gjithë botën. Pra këto elementë reformimi dhe natyrisht largimi nga Skapi i të gjithë atyre që kanë lidhje me krimin dhe që janë të evidentuar tashmë. Këto janë pra qëndrimet e PD për Skapin. Edi Rama vërtet u përpoq që të bashkoheshin votat, por mori atë që meritonte. Kurrë nuk mund të bashkoheshin votat me një njeri që kishte hallin e dosjeve e tij të mëdha të krimit. Pse do mbrojë unë Edi Ramën? Kurrë… Nuk them se kush do e bëjë kontrollin, unë besoj se do vendoset me Komisionin e Venecias”, shprehet Berisha.
Ndërkohë ndër të tjera Berisha është pyetur edhe lidhur me ish-presidentin Ilir Meta për të cilin u shpreh se ai do jetë deputet në parlament dhe Edi Rama do jetë aty ku e meriton, do ekstradohet tek McGonigali.
“Ilir Meta është i burgosur politik dhe ka mbështetjen e plotë totale të PD dhe të gjithë opozitës shqiptare. Nuk ka diskutim. Lista të hapura? A mund të bëjë fushatë ai nga burgu. Ai donte nga lista të hapura, por ata e mbajnë në burg që të mos bëjë fushatë, sepse Edi Rama do të marrë mandatet duke mbajtur kundërshtarët në burg. Prandaj ai do jetë deputet në parlament dhe Edi Rama do jetë aty ku e meriton, do ekstradohet tek McGonigali. Bile ja tani atje është McGonigali”, shprehet Berisha./tvklan.al