Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj akuzon prokurorin e çështjes së tij, Ols Dado se ka trajtuar si skenë krimi edhe rrjetet e tij sociale, Facebook dhe Instagram.
Për këtë sjell si shembull një postim të bërë në 20 Shtator 2023 për një aktivitet të koreografit Angjelin Prejlocaj në Tiranë.
“Trajtohet faqja e Facebook-ut dhe Instagram-it si skenë krimi, si të ishte Bataclan ku vranë terroristët apo skena e fluturimit MH17, që e gjetën këta pas kaq vitesh. “Kqyrje”, “procesverbale”, “evidentohet”, “rezulton me aq e kaq postera e foto”, si me thënë “kaq të vrarë e aq të plagosur”. Çfarë fyerje për inteligjencën e kujtdo! Domethënë, akuzohem se në Facebook-un dhe Instagram-in tim janë publikuar fotot e shfaqjeve të Preljocajt, të cilin këta vetë e pranojnë se e drejtonte projektin dhe jo familjarë të mitë”, tha Veliaj.
Veliaj thotë se si kryebashkiak ka postuar shumë aktivitete të mbajtura në Tiranë, por rasti për të cilin akuzohet është bërë nga Zyra e tij e Shtypit.
“Rezulton se postimi as nuk është bërë nga unë vetë, por nga stafi i zyrës së shtypit, ashtu siç ndodh rëndom për shumë bashki e ministri. Mjafton të shikoni screenshot-et e postimeve për të kuptuar se edhe ky postim, pra për baletin e Preljocajt, është bërë nga stafi i zyrës së shtypit – edhe pse tani që po e kuptoj sa “krim i rëndë” paska qenë, do të doja ta kisha bërë vetë, por ato ditë kam qenë në SHBA për një udhëtim pune”, thotë Veliaj.
Veliaj këmbëngul se pas letrave anonime dhe shpalljes “i dënuar” pa gjyq është i detyruar të shpjegojë edhe postimet në rrjetet sociale për një veting 20-vjeçar, që s’i është bërë askujt më parë.
Tv Klan