Kreu i demokratëve Sali Berisha ka zhvilluar këtë të dielë një takim me shqiptarët e Milanos. Në fjalën e tij Berisha theksoi një pikë tjetër në programin e Partisë Demokratike, “pastrimi i shtëpisë”.
Me “pastrimin e shtëpisë” Berisha nënkupton goditjen e krimit të organizuar, korrupsionit dhe vjedhjeve që sipas tij janë bërë në Shqipëri.
Kreu i demokratëve theksoi në fjalën e tij se me marrjen e pushtetit do t’i kthejë shqiptarëve çdo qindarkë që u është vjedhur nga qeveritarët.
“Programi ynë ka dhe një shtyllë tjetër, një premtim tjetër, “pastrimin e shtëpisë”. Shtëpia do pastrohet. Po e them edhe njëherë, im atë ka qenë besimtar, falej, i lutej Zotit dhe unë e respektoja shumë. Nga vitet 70’, ai filloj të mos falej më, mendova se mos kishte hallë se mos më prishte punë mua. I them: Babë unë dua të shikoj duke u lutur. –Jo, më thotë, nuk falem se në këtë mjedis të tillë as Zoti vet nuk të dëgjon”. Më vonë lexova librat e shenjtë dhe librat e shenjtë shkruajnë që Zoti të hyjë në shtëpinë tënde pastroje përpara. Por shtëpinë e kanë në dorë hajdutërit më të mëdhenj të kohërave, shtëpinë e kanë në dorë… sot Kryeministër është Toto Rina. Kryeministri i Shqipërisë është një Escobar, një Toto Rina. Sot prona, buxheti plaçkiten 24 orë në 24 orë. Sot kartelet e drogës janë vendimarrësit kryesorë. Atëherë “pastrimi i shtëpisë” është shtyllë kryesore. Ju japim fjalën e nderit se ligji do të veprojë me forcën më të madhe. Së pari zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, së dyti auditi i përgjithshëm, ku shkuan 57 miliardë Euro të këtyre viteve? Ku i depozituan? Do t’u merren dhe do t’u kthehen shqiptarëve”.
“Por edhe një ligj tjetër special. Mbyllja e fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e Xhorxh Sorosit. Dhe do t’u lutem shumë t’ia thoni këtë çdo miku italian që njihni. Se e bëj këtë, edhe për shqiptarët, por për italianët. Sepse, për qytetarët italianë Xhorxh Soros është, që nga Roma e lashtë e gjer sot, hajduti më i madh i kursimeve të tyre. Po, po. 20 miliardë ka vjedhur në një bixhoz. Do i nxjerrim të gjitha, ndaj dhe ligji anti-Soros do të jetë ligji i pastrimit të shtëpisë”, tha Berisha./tvklan.al