“Mbrojtja e mjedisit përgjegjësi e të gjithëve”

Mbrojtja e mjedisit për ministrin Blendi Klosi nuk duhet të vijë vetëm nga autoritetet shtetërore, por nga të gjtihë qytetarët. Për këtë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit këtë vit angazhoi në projektin “Smile Albania” 500 të rinj të cilët promovuan turizmin shqiptar por dhe ndërgjegjësuan pushuesit për të mbajtur pastër ambientet e pushimit duke i informuar me pasojat që vijnë për të gjithë nga ndotja.

“Ne duam shumë që mjedisi të jetë i mbrojtur, të jetë i pastër por besoj që akoma shoqëria shqiptare nuk ka kuptuar thelbin, nuk e ka kuptuar që mjedisi është i përbashkët, është një pasuri që duhet ta mbrojë gjithësecili nga ne”.

Duke marrë si shembull ndërtimin e guroreve në Malin e Tomorrit, kreu i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit tha se nuk mund të bëhet biznes me pasuritë kombëtare.

“Nuk mund të bëhet pafundësisht biznes mbi pasuritë kombëtare, nuk mund të shkatërrohet një pasuri kombëtare aq e madhe siç është Mali i Tomorrit, mali olimpik shqiptar, vetëm për të bërë një biznes gurore”.

Ministria do të vazhdojë bashkëpunimin me të rinjtë përmes universiteteve të tyre në mënyrë që t’i angazhojë dhe punësojë ata sezonalisht për të punuar për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri dhe promovimin e turizmit.

Tv Klan