Tre persona janë vënë në pranga pasi janë kapur duke shitur në tregun vendas produkte të dëmshme për shëndetin, kryesisht fruta me përmbajtje pesticidesh. Gazetarja Anila Sefa, ka dhënë më tepër informacione mbi vendimin e Prokurorisë së Beratit, ku përmenden emrat dhe akuzat e ngritura.
Bëhet fjalë fermerin Elton Tafa, personin që ka magazinuar prodhimin, Arben Dyla dhe një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë, i cili ka dhënë një certifikatë sipas së cilës produktet janë të konsumueshme për tregun shqiptar. Sipas Sefës, sasia e produktit mandarinë prej 10 tonësh, është marrë me garanci përmes një certifikate që i lejonte ata të shitej në treg si i padëmshëm për konsumatorët.
“E gjithë historia ka nisur pas një hetimi 3 mujor ndodhur që në Dhjetor të 2024-tës, ku një sasi e madhe, kryesisht agrumesh janë kthyer nga shteti kroat i cili ka verifikuar se produktet e eksportuara nga Berati përmbanin lëndë të ndaluar në Bashkimin Europian dhe sasi të lartë pesticidi të quajtur Fostnet, i cili nuk duhet të ishte përdorur në këto fruta. Sipas Prokurorisë së Beratit, nga hetimet e deritanishme rezulton se fermeri Elton Tafa e ka marrë sasinë prej 10 tonësh të mandarinave dhe pasi është kthyer nga Kroacia e ka magazinuar në pikën e grumbullimit të Arben Dylës, po në Berat. Më pas, Arben Dyla ka marrë në Drejtorinë e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Beratë një certifikatë me idenë që produkti nuk ka probleme dhe mund të konsumohet për tregun shqiptar duke bërë të mundur shitjen e këtij produkti në periudhën Janar dhe Shkurt të 2025-ës”, tha Sefa.
Prokuroria e Beratit ka ngritur tre akuza për të arrestuarit; “Prodhim dhe shitje të ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrim me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorim detyre”.
Pas arrestimeve, Klan News ka shkuar në banesën e fermerit 46-vjeçar për të marrë dëshminë e familjarëve të tij, të cilët janë ndjerë të tronditur. Ata e gjykojnë të jashtëligjshëm arrestimin e tij, kjo pasi siç raporton Sefa, “fermerët pretendojnë që përdorimi i pesticideve që sot quhen të dëmshme, ata nuk i njohin, por i marrin në pikat e shitjes së farmacive bujqësore dhe më pas i përdorin”.
Sefa thotë gjithashtu fermerët kanë dhënë dhe emrat e vendeve ku ata kanë marrë produktin, duke pretenduar se nuk kanë marrë informacionin e duhur që pritej për të ditur mbi emërtimin e këtyre produkteve./tvklan.al