Olsjan Çela, Fatjona Memçaj e Arta Marku paraqesin platformat
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar këtë të mërkurë intervistat me 3 kandidatët që synojnë postin e Kryeprokurorit, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.
Arta Marku që drejton prej dy vitesh Prokurorinë e Përgjithshme ishte e para që doli përballë anëtarëve të KLP-së.
Ajo u tha anëtarëve të Këshillit se pritshmëritë kanë qenë të mëdha në kohën që ajo ka ushtruar detyrën, por për shkak të ndryshimeve të reja ligjore e ka patur të pamundur për të bërë më shumë, pasi ka kompetenca të kufizuara.
“Kam patur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, prej tyre jam zgjedhur, nuk kam patur asnjëherë mbështetje politike. Më i fundit, një vendimmarrje për kreun e Bashkisë Vorë. Në shumë raste kam ndjerë keqardhje që nuk kam ndikuar kur populli ka bërë denoncime. Çfarë të bëj pa kompetencë kur prokuori i çështjes nuk do të bëjë rekurs. Për të hetuar prokurorin ka qenë e pamundur pas ILD nuk ekziston”.
Prokurorja e Apelit të Tiranës Fatjon Memçaj veçoi se Vettingu në radhët e gjyqësorit ka sjellë mbingarkesë në punë për prokurorët, ndërsa kërkoi bashkëpunim me KLP-në për të reformuar Prokurorinë.
Prokuror i Krimeve të Rënda Olsian Çela, i treti ne intervistim, ndryshe nga drejtuesja aktuale e Prokurorisë së Përgjithshme, tha se me ndryshimet e reja ligjore kreu i organit qëndror të akuzës ka një rol mjaft domethenës dhe kompetenca të mjaftueshme në monitorimin e punës së prokurorëve.
“Ajo çfarë unë konstatoj me shqetësim është që prokurorë të caktuar për shkak të lirisë që i jep ligji, duke pasur dhe sensin e protagonizmit nuk arrijnë ta menaxhojnë sa duhet këtë pavarësi që ligji i jep. Kjo prodhon pasoja. Për të menaxhuar këtë situata është e rëndësishme që prokuroria e përgjithshme të monitorojë punën e prokurorive të shkallës së parë dhe apelit. Prokurori të mbajë një sy hapur për çdo gjë që ndodh. Mekanizmat për këtë do të ndërtohen”.
Tre kandidatët iu nënshtruan garës pasi kaluan më parë Vettingun. Intervistat dhe platformat e tyre do t’i shërbejnë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të bërë vlerësimin me anë të pikëzimit.
Tv Klan